Transmetuar më 09-09-2019, 19:21

Kryetari i Partisë Demokratike ka kërkuar nga vendet anëtare të BE-së që të japin votat e tyre pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Deklaratat, Lulzim Basha i ka bërë sot gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel.

Në ditën e parë të punimeve të Asamblesë, z.Basha u takua me përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, drejtues të politikës së jashtme dhe të zgjerimit në Parlamentin dhe Komisionin Europian, si dhe Parlamentet e vendeve anëtare.

Lideri i opozitës ka kërkuar mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.

Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikishtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike, ka thënë lideri demokrat.

“Hapja e negociatave është e rëndësishme pasi do të sjellë një mbikqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë”, tha Basha.

Sipas tij, “Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike dhe zgjidhja qëndron te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore”. /k.k/noa.al/