Transmetuar më 09-09-2019, 20:13

Edhe këtë vit Shqipëria u përball me qindra zjarre që përfshinë vendin, ku u shkaktuan edhe shumë dëme ekologjike dhe materiale.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri sot publik një bilanc të dëmeve të shkaktuara si pasojë e flakëve gjatë muajve të nxehtë të kësaj vere që po mbyllet.

“Korriku dhe gushti shënuan një numër të pazakontë zjarresh. U regjistruan 324 vatra zjarri në mbarë territorin e vendit”, – tha Xhaçka.

Sipas saj, këto zjarre përfshinë 1900 hektarë pyje, toka bujqësore dhe kullota.

Ministrja pohoi se zjarret ishin në 99 për qind të rasteve të qëllimshme dhe nuk kanë ardhur nga temperaturat e larta.

Zjarrvënia e qëllimshme është dukuri që vazhdon prej vitesh në Shqipëri. Më së shumti janë banorë të zonave ku konstatohen vatra zjarri, të cilët për të rritur sipërfaqet e tokave që duan të shfrytëzojnë, i vënë flakën pyjeve kryesisht në pjesët kodrinore dhe malore.

Ashtu si plot ministra të tjerë më parë, edhe Xhaçka sot paralajmëroi masa të forta ndëshkimore edhe pse Kodi Penal parashikon masa dënimi deri në burgosje për disa vite për zjarrvënie te qëllimshme.

“Ligji do të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorëve të këtyre akteve që rrezikojnë të mirën tonë të përbashkët”, premtoi ministrja. /k.k/noa.al/