Transmetuar më 09-09-2019, 21:17

Trajneri i Islandës, suedezi Erik Hamren para ndeshjes me Shqipërinë, në “Elbasan Arena”, e vlefshme për “Euro 2020”, nuk pranoi të thoshte se do të mbetej i kënaqur me një barazim.

Ai tha pas mbërritjes në Shqipëri se “objektivi i Islandës është kualifikimi në Europian dhe pas 3 fitoreve radhazi optimizmi është i madh në kampin ishullor për të arritur një tjetër sukses ndaj Shqipërisë”. Islanda e fitoi edhe ndeshjen e fundit, ndërsa fitoi edhe kundër Shqipërisë në një ndeshje më parë.

Pas pesë ndeshjeve të para, vendi i vogël ishullor ka 12 pikë, aq sa Franca e Turqia.

“Është ndeshje e rëndësishme, por ne vijmë për më të mirën dhe kemi respekt të madh për Shqipërinë”, tha trajneri Hamren, pas mbërritjes në Tiranë.

“Qëllimi ynë është të shkojmë në Europian. Por, pas ndeshjes shihet nëse jemi të kënaqur me një apo tri pikë. Nuk dua të flas shumë për Shqipërinë, por të flas për skuadrën tonë. Shqipëria ka qenë dhe është ekip i fortë.”

“Me Turqinë ato kanë luajtur mirë, por kanë qenë të pafat. Por, për mua mbetet e fortë. Ata luajnë në shtëpi dhe do bëjnë më të mirën, do jetë e vështirë midis dy ekipeve të barabarta, siç ishte para tri muajsh në Reykjavik. Lojtarët tanë kanë pësuar disa dëmtime, por e përgjithshmja është mirë”, u shpreh ai.

Trajneri Edy Reja, pas humbjes 4-1 me Francën pritet të vijë me disa ndryshime. Më kryesorja është ulja në stol e mbrojtyësit Mërgim Mavraj, ndërsa shiritin e kapitenit do të marrë Elseid Hysaj. SHqipëria ka 6 pikë, pas pesë ndeshjeve të parë. Islanda shihet si shansi i fundit për realizimin e objektivit më minimal, në këtë rrugëtim./a.m/NOA.al