Transmetuar më 10-09-2019, 11:53

Kryebashkiaku i zgjedhur i Vaut të Dejës, Mark Babani reagon lidhur me akuzat e Partisë Demokratike e cila i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin për të, duke e denoncuar si të dënuar në Itali dhe Maqedoni dhe si person me tre emra.

“Gjithë jetën as babai im e as unë nuk i kemi bërë 24 orë burg. Gjithë jetën kam mbajtur emrin Mark Babani”, u shpreh ai në një prononcim telefonik për RTV Ora.

Ai u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me autoritetet teksa tha se nuk është njohur me pretendimet e PD, pasi është në punë, por se është i gatshëm të sqaroj çdo gjë.

“Jam Mark Babani i lindur me 24 dhjetor 1966. Fisi jonë jemi me mbiemrin Babaj por në shkollë të gjithë kushërinjtë dhe njerëzit e mi e kemi kthyer Babani. Kështu jam regjistruar në klasën e parë. Kam mbaruar shkollën e mesme, kam mbaruar ushtrinë në Tiranë, kam qenë sportist në klubin Vllaznia për tre vjet, si Mark Babani. Kur kam shkuar në Itali me 6 mars të 1991 jam regjistruar Mark Babani i datëlindjes 24 dhjetor 1966. Momentin e parë kur kemi marrë permesot e sonxhornos në Itali, një grup i zonës sonë, në prill-maj të 1991 në Siçili, kam filluar punë në një fabrikë peshku në fund të ‘91, shtator-tetor. Kam punuar për tre vjet deri në ‘94. Punoja në dy punë, edhe në një hotel. Jam larguar nga Italia në 1995, me fabrikën që punoja kemi bërë një investim në Shëngjin të Lezhës”, tha ai.

Lidhur me pretendimet e PD, se ka qenë i dënuar, ai tha se ky pretendim nuk ka lidhje me të dhe me jetën e tij.

“Më vjen shumë turp që i dëgjoj këto fjalë. Kam luftuar të gjithë jetën time me qenë një shqiptar model. Gjithë jetën unë, babai im dhe gjyshi im nuk i ka bërë kush 24 orë burg”, deklaroi kryebashkiaku i Vaut të Dejës.

“Me 3 identitete, i dënuar në Itali dhe Maqedoni”, PD kërkon verifikim e kryebashkiakut të Vaut të Dejës