Prokuroria kërkon 12 vite burg për Tahirin dhe ish-kryepolicin në arrati të Vlorës
Transmetuar më 10-09-2019, 12:05

Prokuroria ka kërkuar 12 vjet burg, që konvertohet në 8 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, njëjtë edhe për Jaeld Çelën, ish-kreun e Policisë së Vlorës. Pretenca për ish-kryepolicin e Vlorës, është dhënë në mungesë pasi Jaeld Çela ndodhet në arrati.

Kërkesa e Prokurorisë ulet në 8 vite burg, për shkak se Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-ministrit për gjykim të shkurtuar, që rrjedhimisht e ul dënimin me 1/3.

Tahiri akuzohet nga Prokuroria për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Seanca u mbajt për më shumë se 2 orë, ku Tahiri shoqërohej nga avokati i tij Maks Haxhia.

Tre prokurorët e çështjes, pretendojnë se me provat dhe faktet e sjella në gjykim vërtetohet fajësia e dy ish zyrtarëve të lartë në trafikun e kanabisit.

Nga ana tjetër, ish ministri Tahiri, gjatë periudhës së hetimit dhe gjykimit ka mohuar akuzat, duke ngritur pretendime se gjyqi ndaj tij është i montuar politikisht dhe se Prokuroria, s’ka asnjë provë që e implikon atë./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...