Transmetuar më 10-09-2019, 13:26

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Tiranë me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me çështjen e shkarkimit të Presidentit të Republikës.

Ruçi shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shpejtë dhe konstruktiv të Komisionit të Venecias me Kuvendin e Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar Komisionit të Venecias për disa reforma të rëndësishme ose çështje me interes të veçantë, si reforma në drejtësi, vettingu i funksionarëve të lartë, procedurat në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, ligjin për pronësinë si edhe nismën legjislative të zgjedhësve.

Gjatë takimit, Ruçi vlerësoi gadishmërinë e angazhgimit të Komisionit të Venecias, megjithë kohën e shkurtër të adresimit të kërkesave; seriozitetin e vizitave të ekspertëve të Komisionit në Shqipëri si edhe cilësinë e lartë të raporteve paraprake dhe përfundimtare të opinionit të Komisionit.

Kuvendi i Shqipërisë ka përfituar edhe nga opinionet që Komisioni ka adresuar për vende e tjera anëtare të Këshillit të Europës.

Kryetari i Kuvendit Ruçi bashkëbisedoi me anëtarët e Komisionit edhe për disa aspekte të situatës politike në Shqipëri./b.l/noa.al/