Transmetuar më 10-09-2019, 16:10

Gjykata e Durrësit ka vendosur ekstradimin në Rusi, të shtetasit rus, Rasul Miklaev arrestuar disa ditë më parë për terrorizëm.

Rusia ka kërkuar ekstradimin e 34-vjeçarit, pasi e kishte shpallur në kërkim.

Para gjykatësit Paulin Cera, shtetasi rus mësohet të ketë thënë: “Mos më ekstradoni se më torturojnë sikurse të afërmit e mi. Putini është klan terrorist. Atje do më vrasin”.

Cera i siguroi 34 vjeçarit se nuk do të përballet me tortura në Rusi, por me një proces gjyqësor të rregullt ku ai mund të kërkojë të drejtën e tij.

Miklaev i dyshuar si anëtar i grupimit terrorist të Jaish al Muhaxhirin al Ansëar, qëndroi për 11 muaj në qendrën e pritjes së azilkërkuesve në Karrec. Përgjatë kësaj kohe ai refuzoi të fliste, sa për një kohë të gjatë, u mendua se mund të ishte shurdh- memec.

Rasul Miklaev për 11 muaj ka dhënë disa identitete dhe identifikimi i tij ka angazhuar disa agjenci ligjzbatuese dhe inteligjente.

Kur ai mbërriti në Shqipëri verën e 2018 së bashku me një grup emigrantesh që vinin nga lufta, ai u shtir si një person që as dëgjonte dhe as fliste.

Por roli i tij mori fund pikërisht këtu në qendrën e mbyllur të Kareçit, pas intervistimit dhe dyshimit se në fakt nuk bëhej fjale për një person që përpiqej t’i shpëtonte luftës, por bëhej fjalë për një person të rrezikshëm dhe terrorist.

Për këtë arsye për 11 muaj me radhë, ai u mbaj nën vëzhgim por edhe u pyet shpesh dhe u thye dhe vendosi të flasë, por sidoqoftë ai asnjëherë nuk e tha emrin e tij të vërtetë dhe as identitetin.

Madje edhe të tjerë të ardhur nga vendet e luftës që vazhdojnë të mbahen në qendrën e Kareçit, nuk e njohin me emrin e tij, por me identitetin që ai është prezantuar, si Diego Maradona./b.l/noa.al/