Transmetuar më 10-09-2019, 16:47

Diabeti është një sëmundje, ku niveli i sheqerit në gjak (glukozës) luhatet. Kur diabeti shfaqet te një grua shtatzënë, e cila nuk ka vuajtur më parë, quhet diabet i shtatzënisë. Kjo sëmundje mendohet se vjen si pasojë e ndryshimeve metabolike të shkaktuara nga ndikimi i hormoneve, të kombinuara me prirjen e një nëne për ta shfaqur më vonë diabetin.

Rreziku i shfaqjes së tij gjatë shtatzënisë, është më i lartë te disa femra, veçanërisht tek ato që: janë mbi 30 vjeçe; në historikun shëndetësor familjar, kanë raste të kësaj sëmundjeje; janë mbi peshë; në shtatzëninë e mëparshme kanë lindur një foshnjë me peshë të madhe.

Ndonëse diabeti gjatë shtatzënisë nuk përbën rrezik për shëndetin e nënës, mjekët kryejnë vazhdimisht analiza, pasi ai është i rrezikshëm për fetusin. Një nga rreziqet kryesore për foshnjat, është se lindin me peshë të madhe (makrosomia).

Përveç kësaj, fetuset që në mitër janë të ekspozuara ndaj glukozës së lartë në gjak, mund të kenë nivel të ulët glukoze kur u pritet kordoni umbilikal dhe për pasojë, mund t’u ndërpritet furnizimi me këtë lëndë. Në rast se nuk konstatohet menjëherë, kjo mund të shkaktojë apopleksi tek i porsalinduri.

Në qoftë se diabeti gjatë shtatzënisë nuk konstatohet dhe trajtohet, ekziston rreziku që foshnja të lindë e vdekur ose të ndërrojë jetë më pas. Kur problemi diagnostikohet dhe trajtohet si duhet, rreziqet për fetusin mund të jenë më të vogla.

Shenjat dhe simptomat: në përgjithësi, diabeti gjatë shtatzënisë nuk shoqërohet me ndonjë simptomë të veçantë. Për këtë arsye, analiza e glukozës kryhet nga java e 24-t deri në javën e 28-të të shtatzënisë.

Trajtimi: për ta pasur nën kontroll diabetin gjatë shtatzënisë, duhet të përcaktoni nivelin e glukozës në gjak. Më pas, duhet ta trajtoni përmes një diete, ushtrimeve gjimnastikore dhe analizave të vazhdueshme që e mbajnë glukozën nën kontroll. Në shumicën e rasteve diabeti i shtatzënisë zhduket menjëherë pas lindjes./b.l/noa.al/