Transmetuar më 10-09-2019, 17:25

Ministri i Brendshëm flet për skenarë apkaliptikë që mund të viheshin në zbatim në Shqipëri, por u arrit të parandalohej.

Pas takimit me përfaqësusit e Komisionit të Venecias, Sandër Lleshaj ka shkruar në Facebook se politikanë të caktuar kishin interes për skenarë të tillë.

“Theksova se përpjekjet e dhunshme për destabilizim, nuk arritën të shndërrohen në ndonjë kërcënim serioz për sigurinë e vendit, falë pjekurisë së qytetarëve shqiptarë, që nuk u bënë pjesë e skenarëve të dhunës dhe e profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera ligjzbatuese.

Ishin pikërisht këta faktorë, të cilët mundësuan që zgjedhjet vendore të zhvilloheshin rregullisht dhe që skenarët apokaliptikë, të imagjinuar apo të dëshiruar, nuk u bënë realitet dhe që Shqipëria të mos binte në një qerthull të rrezikshëm destabiliteti”, shkruan Lleshaj.

Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias zhvilluan sot takime me faktorët politikë në vend dhe përfaqësues të shtetit, ndërsa më vonë do të thonë edhe fjalën e tyre të fundit mbi vendimin e Presidentit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. /k.k/noa.al/