Transmetuar më 11-09-2019, 08:58
Arma e sekuestruar

Ndalohet autori i dyshuar i tentativës së vrasjes me armë zjarri të një 48-vjeçari, ngjarje e ndodhur katër ditë më parë, në lagjen nr.6 të qytetit të Korçës.

Nga hetimet e kryera dhe bashkëpunimit me familjarët dhe avokatin e autorit të dyshuar, u bë e mundur që gjatë mbrëmjes së djeshme 28-vjeçari J.H., banues në Korçë, të vetëdorëzohet në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, i shoqëruar nga avokati i tij.

I riu ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 7 shtatorit.

Ai akuzohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri automatik kallashnikov shtetasin Ilir Hoxha, i cili për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet në përdorim të tij.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, J.H., ka treguar edhe vendin ku kishte hedhur armën e krimit, e cila iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip “BMW”.

Lidhur me ngjarjen hetimet janë në vijim, në bashkëpunim me Prokurorinë. /a.y/noa.al