Transmetuar më 11-09-2019, 09:53

E pagëzuan “çorape kuqja”, por jo për të mbrojtur identitetin e saj! Një vajzë 4 vjeçe, e cila u përdhunua dhe vra nga nëna dhe njerku, nuk kishte një emër zyrtar, duke qenë se që nga momenti i lindjes nuk ishte regjistruar.

Bëhet fjalë për një histori drithëruese, e cila ka tronditur jo vetëm Meksikën, por të gjithë botën. Ishte 18 marsi i vitit 2017, kur vogëlushja “fajtore” pse kishte urinuar në shtrat, u përdhunua dhe rrah për vdekje nga njerku Pablo Rodriguez dhe nga nëna Yadira Medica.

Ngjarja tronditëse u shënua në qytetin e Nezahualcòyotl, ku pas vdekjes së vajzës, çifti kishte vendosur që ta hiqte qafe trupin, duke e fshehur në një zonë të pyllëzuar, në periferi të qytetit.

Kufoma e vogëlushes u zbulua nga një banor i zonës, vëmendja e të cilit u tërhoq nga çorapet e kuqe që kishte veshur.

Pas procedurave të para të identifikimit, gjykata u detyrua që ta regjistrojë vajzën në regjistrin civil, pas vdekjes. Askush nuk e kërkoi trupin e vogëlushes, e cila u varros me emrin Angelita dhe u regjistrua si Guadalupe. Disa aktivistë, u angazhuan që ti jepnin identitetin e duhur viktimës, dhe kështu pas kërkimeve intensive disa familjarë të saj, treguan identitetin e së miturës, duke rënë në gjurmët e nënës dhe njerkut.

Nga hetimet e kryera u rindërtua dinamika e ngjarjes, për të zbuluar më tej dhunën dhe përdhunimet që pësonte rregullisht e mitura. Jo vetëm kaq, por njerku kishte përdhunuar edhe motrën e saj të madhe, një adoleshente 14-vjeçare.

I njohur nga policia për disa precedentë penalë, burri u dënua, bashkë me nënën e vajzës së vrarë, në një total prej 88 vitesh burg, gjatë seancës së mbajtur të premten që lamë pas. /a.y/noa.al