Transmetuar më 11-09-2019, 13:06

Ajo është 17 -vjeçarja e parë në botë që me pasionin dhe dëshirën për të pushtuar majat më të larta të 7 kontinenteve arriti ta kalonte me sukses këtë mision.

Mrika Nikqi nga qyteti i Pejës, është nxënëse e shkollës së mesme. Që në moshën 7-vjeçare ka qenë një garuese e suksesshme në karate dhe ski. Ndërsa vetëm 10 vite më pas ajo arriti të sfidonte të gjithë moshatarët e saj në botë.

E ftuar në studion e emisionit “Rudina” në Tv Klan, Mrika tregoi se nuk ishte e vetme në këtë mision, ishte babai i saj forca dhe mbështetja më e madhe për t’ia dalë mbanë. Arianit Nikqi avokat në profesion, por që prej 25 vitesh alpinist, duket se shpirtin e garës dhe triumfit ndaj të pamundurës ia trashëgoi të bijës.

Babë e bijë, të dy së bashku arritën të sfidonin temperaturat deri në -45 gradë duke u bërë dhe shqiptarët e parë në botë për ngjitjen e shtatë majave më të larta, si: Kilimaxharo në Afrikë, Vinson në Antarktika, Aconvagua në Amerikën Latine, Everest në Azi, Denali në Amerikën Veriore, Elbrus në Evropë.

“Si eksperiencë ka qenë shumë madhe për mua dhe më ka mësuar shumë. Gjatë këtyre ekspeditave kam mësuar të pres dhe duroj për të tejkaluar gjëra të ndryshme që në disa momente të bëjnë të ndihesh e pafuqishme”, rrëfeu Mrika.

Ndërsa babai i saj tregoi si kur nisi kjo eksperience. “Mrika ka filluar të merret me karate në moshën 4-vjeçare dhe ka qenë garuese e suksesshme, mirëpo dashurinë për natyrën e ka pasur në zemër. Ne vijmë nga Rugova dhe kemi dalë çdo fundjavë si dhe gjatë pushimeve verore dhe dimërore. Mrika ka fillaur të merret me ski. Tentativën e parë e kemi pasur kur ajo ka qenë në 15 vjeç, në Alpe dhe kemi dështuar për shkak të motit të keq. Maja më e lartë që kemi ngjitur ka qenë Kilimanxharo në Janar të 2018-ës”.

Ashtu siç ata e kishin parashikuar kjo sfidë për Arianitin dhe Mrikën u mbyll më 15 gusht me një arritje kulminante në alpinizëm, duke valvitur dy flamujt të Shqipërisë dhe Kosovës në Carstesz Pyramide.