Transmetuar më 11-09-2019, 14:27

Partia Demokratike ka publikuar sot prova, që sipas saj, tregojnë si u manipulua procesi i votimit të 30 qershorit nga mazhoranca.

Ish-deputeti Oerd Bylykbashi tha nga selia blu se disa nga provat që tregojnë manipulimin janë: fletët e votimit janë marrë në grup, janë plotësuar fletë votimi bosh, janë mbushur kutitë e votimit nga komisionerët socialistë.

“Kemi parë shkelje të llojeve të ndryshme këto dalin nga filmimet që janë bërë. Shpesh herë fletët e votimit janë marrë në grup dhe nuk janë numëruar veç e veç, fletë votimi që janë numëruar jashtë kamerave të numërimit, janë plotësuar fletë votimi bosh në tavolinat e numërimit. Në kutitë e votimit janë gjetur fletë votimni pa vulat e komisionit. Kutitë e votimit janë mbushur nga komisionerë socialistë për të arritur objektivin e PS.

Nuk ka parë vetëm problemet teknike të procesit zgjedhor por ka hyrë në gurët e themelit që garanton demokracinë dhe provon se i tërë sistemi që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme ka rënë dhe për rrjedhojë me 30 qershor nuk kishte zgjedhje. Prej asaj date kryeministri ka heshtur sepse askush nga qeveria nuk mund ta mbrojë. Është raporti më i keq që OSBE-ODIHR ka shkruar për zgjedhjet në Shqipëri”, tha Bylykbashi.

Më tej ish-deputeti Bylykbashi solli me foto disa raste, që sipas PD, provojnë manipulimin e votave të 30 qershorit nga mazhoranca.