Transmetuar më 11-09-2019, 18:26

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në konferencën e gjatë për shtyp, foli kryesisht mbi vizitën e delegacionit të Komisionit të Venecias në vendin tonë, me ftesë të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe për krizën e gjatë politike në vend.

Meta tha se Komisioni i Venecias do të përgatisë edhe një raport, lidhur me komisionin hetimor të ngritur nga Kuvendi për hetimin e kreut të shtetit.

“Mendova se ishte koha e përshtatshme për të zhvilluar një bashkëbisedim me ju, meqenëse ka pasur edhe ngjarje, kemi pasur edhe mysafirë, vijmë pas disa pushimeve që nuk i meritonim kaq të gjata. Flas edhe për përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës", theksoi Meta.

"Kemi pasur edhe mysafirë të nderuar të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me të cilët para kënaqësinë të zhvilloja dje një bisedë. Dua të falënderoj Kuvendin për këtë respekt të veçantë ndaj Komisionit të Venecias dhe t’iu bëj të ditur se bashkëpunimi im me këtë komision do jetë transparent. Në respekt të punës, deri më 11 tetor, i kemi vënë në dispozicion një raport paraprak, i cili është shumë i qartë dhe analitik i shoqëruar me një aneks me dokumente që kanë të bëjnë me vendimmarrjen që do të vlerësohet", theksoi Meta.

Presidenti u pyet nëse ka ndonjë marrëveshje apo nëse është takuar Ramën, me qëllim që t’i jepet fund krizës, pa masa ekstreme siç është shkarkimi i tij, apo rikthimi i opozitës në institucionet e vendit. Ai hodhi poshtë aludimet për një takim me Ramën dhe tha se duhet një dialog gjithëpërfshirës, ndërsa përmendi edhe "përpjekjet e tij të palodhura" për negociata.

"Më e rëndësishmja për politikanët është përgjegjshmëria. Situata politike prej një viti ka qenë artificiale. Shqiptarët nuk e kanë merituar këtë situatë. Nuk kam pasur ndonjë mundësi të takohem, nuk kam ndonjë shqetësim për ta takuar, vazhdoj ta pres, sepse kjo është detyra ime si President."

Presidenti ka mbrojtur sërish deklaratat e tij të bëra prej kohësh dhe në komisionin hetimor parlamentar, se në 8 qershor, në protestën e opozitës së bashkuar, ishte planifikuar për t’u djegur Kuvendi. Kreu i shtetit tha se ka marrë këtë informacion nga një institucion i lartë i sigurisë (me shumë gjasa Shërbimi Informativ Shtetëror – shën. red.), gjë që e detyroi atë të anulojë me dekret zgjedhjet e 30 qershorit.

Kryetari i shtetit u shpreh në konferencën për mediat se Kuvendi ka dërguar kërkesë zyrtare në presidencë për t’u njohur me këtë informacion të konsideruar të klasifikuar, të cilën z. Meta tha se ia ka dërguar shkresën zyrtare institucionit prej nga e mori informacionin, në mënyrë që vetë institucioni në fjalë t’ia dërgojë informacionin Kuvendit të Shqipërisë.

Meta është pyetur nga gazetarët edhe për takimin e sotëm me kreun demokrat, Lulzim Basha.

"11 tetori është një datë e rëndësishme, qytetarët e dinë punën e presidentit", – theksoi Meta, duke mos hequr dorë nga dekretimi i zgjedhjeve lokale të shpallura prej tij.

“18 tetori është një datë e rëndësishme, prandaj i ftoj të gjithë të merren me të, po aq sa duhet, edhe median, se unë 11 tetor jam i gatshëm të shkoj në Venecia”.

Presidenti i qëndroi idesë që të zhvillohen tre palë zgjedhje njëkohësisht, për pushtetin lokal, atë Parlamentar dhe për zgjedhjet Presidenciale. Ai tha se ka kritikuar edhe veprimet e opozitës, që nuk i duken normale, ashtu si edhe ato të maxhorancës, prandaj i ftoi sërish palët për dialog, që t’i jepet fund krizës së pazakontë dhe anormale, në vendin tonë.

Meta foli edhe lidhur me lajmet se negociatat do të hapen, sepse Rama dhe Basha, kanë arritur një marrëveshje.

"Kemi dëgjuar  lajme të mira, por unë jam dyshues deri sa suksesi të ndodh dhe gotat e shampanjës të hapen. Kemi dëgjuar nga të dyja palët se negociatat do të çelen. Kemi dëgjuar nga mazhoranca. Kënaqësi të dëgjonin edhe nga ana e PD, që do të çelen negociatat në 18 tetor. Presidentin e keni nga vendi i rakisë. Nuk ka se si ti trembet gotës së shampanjës, por duhet të presim deri në 18 tetor.

Ilir Meta tha se Shqipëria e ka humbur kuptimin e parlamentarizmit, që kur u zhvilluan zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa për këtë arsye ai shtoi se në takimin e fundit, “kam shprehur me Gramoz Ruçin nostalgji për vitet ’92 të Kuvendit”.

Ilir Meta foli edhe lidhur me deklaratën e tij para Komisionit Hetimor, mbi arsyet që e çuan për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

“Sa i takon deklaratës së një elementi të ri për opinionin publik se një ditë para se të komunikoja publikisht vendimin për të nxjerrë dekretin më 10 qershor kam pasur informacion nga një institucion kushtetues, sekret, i klasifikuar, nga më të lartat shtetërore. Kjo është e vërtetë. Nuk kam thënë gënjeshtër, aq më tepër në një moment kaq të rëndësishëm. Ka informacione të tjera, por në respekt të ligjit nuk mund të them diçka më shumë”.

“Në komisionin Hetimor i kanë mundësitë, sipas ligjit, të njihen me këtë. Kanë çuar një kërkesë në presidencë për tu njohur me këtë informacion. Presidenca i ka kërkuar institucionit që e ka këtë informacion që t’ia vë në dispozicion Kuvendit, pasi është informacion i klasifikuar. Por është informacion i vërtetë, nuk besoj se është diçka që ka ndodhur para 100 vjetësh. Kuvendi është ndriçuar, ka pasur sulme, ka pasur të plagosur. Ju them me bindje se në këtë dokument do t’i ndiqni të gjitha shqetësimet e asaj kohe. Çdo institucion që ka interes në mënyrë të ligjshme mund të njihet. Dhe do ta kuptoni që ishte një situatë tërësisht e çmendur, që më mirë nuk mund ta përshkruante edhe raporti final i OSBE-ODIHR”, tha Meta.

Presidenti tha se do të punojë deri më 24 Korrik 2022 dhe nuk ka asnjë shans të dalë nga Presidenca, sepse është betuar.

Materialet që do t’i dorëzohen Venecias, Meta tha se do të bëhen  publike të hënën. /a.m/ NOA.al/