Transmetuar më 11-09-2019, 22:04

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se nuk ka asnjë pakt mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës dhe konfirmoi se për shkak të kryeministrit, Shqipërisë do t’i shtohen kushtet për hapjen e negociatave.

Ndërsa për kërkesën e prokurorisë , “12 vjet burg për Tahirin, ai tha se kjo është show që i duhet Ramës para vizitës në Gjermani”. Gazment Bardhi shtoi se Tahiri është rasti i parë në 30 vjet që hetohet dhe gjykohet i lirë për vepra të rënda penale. Bardhi iu përgjigj interesit të gazetarëve.

Si i komentoni qëndrimet e Presidentit, i cili ju kritikoi sot?

Nuk është hera e parë që presidenti kritikon opozitën për vendimin e paprecedentë të djegies së mandateve. Ajo që do të duhet të marrim nga deklarata e sotme e presidentit është që në Shqipëri ka një krizë të madhe përfaqësimi. Sot, madje, nuk kemi vetëm një krizë përfaqësimi, por edhe një krizë kushtetuese dhe institucionale, pasi mungojnë disa prej institucioneve që mbajnë shtetin në këmbë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe janë bërë jofunksionale disa institucione të tjera në vend si parlamenti dhe pushteti lokal.

 Presidenti la të kuptohet se ka sinjale për një pakt Rama-Basha. Është e vërtetë?

Nuk e kuptova kështu deklaratën e presidentit të republikës. Ajo që unë dua të konfirmoj është se nuk ka asnjë pakt dhe nuk do të ketë asnjë pakt pa u plotësuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk është çështje pakti mes dy individëve, por e parimeve dhe standardeve që të mos kemi më një krizë të tillë institucionale, kushtetuese, politike, përfaqësimi, siç e quan Presidenti në të ardhmen. Pra, do të duhet të jetë një zgjidhje e tillë që e fut Shqipërinë në një rrugë që të gjithë e dëshirojmë, anëtarësimin në BE.

E dëgjova deklaratën e Presidentit, nuk e kuptova se ku e bazon informacionin se zoti Basha apo PD ka thënë që do të hapen negociatat. Askush nga PD, përfshirë zotin Basha, nuk e ka thënë këtë. Ne kemi thënë që PD dhe Opozita e Bashkuar do të donim të hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, si një mundësi për t’i vënë fre kontrollit të kësaj qeverie apo për të patur më shumë ndikim në situatën e brendshme në Shqipëri.

Ne lobojmë që të hapen negociatat, si aspiratë  e shqiptarëve për të qenë sa më parë pjesë e BE, por për shkak të sjelljes së kësaj qeverie, shanset vijnë duke u zvogëluar. Ishim me 5 kushte për hapjen e bisedimeve, kanë shkuar 7. Dhe të gjitha informacionet tona flasin që nga 7 mund të bëhen në 9 apo 10 kushte. Kjo tregon për hapa pas në procesin e negociatave me BE. Ne duam që të jetë një PO, se nuk është Po për qeverinë, është Po për shqiptarët, por të gjitha dyshimet tona janë se nuk ka për të patur një PO pa kushte. Pra, do të shtohen edhe më shumë kushtet.

Si e komentoni pretencën për 12 vite burg për Saimir Tahirin? Mendoni që do të jetë Tahiri i pari zyrtari i lartë që do të përfundojë pas hekurave?

Ne e kemi bërë të qartë dhe koha po na jep të drejtë se gjithë ai proces gjyqësor dhe sjellja e Prokurorisë me çështjen e Saimir Tahirit është një shoë. Pra janë në rol Saimir Tahiri, Prokuroria dhe Gjykata. Janë në të njëjtin rol, atë të mbrojtjes së ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Pretencën 12 vjet burg nga prokuroria e shoh në të njëjtën logjikë apo linjë veprimi siç ishte edhe kërkesa për arrestim. Ju kujtoj që këtë javë kryeministri i Shqipërisë viziton Gjermaninë dhe sa herë, përpara se të vizitojë Gjermaninë, duke qenë se Gjermani e ka një nga kushtet për hapjen e negociatave procesin e rregullt dhe dënimin e e zyrtarëve të përfshirë në këtë dosje, edhe Saimir Tahirin të përmendur me emër të përveçëm, Edi Rama përdor prokurorinë për të bërë një lëvizje.  Ju kujtoj takimin e tij në Berlin dhe ju ftoj të hapni arkivat. Pak ditë përpara takimit të shkuar me kancelaren Merkel, nxiti prokurorinë të bënte gjoja sikur kërkonte arrestimin e Saimir Tahirit dhe pas takimit e pamë të gjithë se nuk ndodhi. Në të njëjtën formë po vepron edhe tani.

Dua të sjell në vëmendje se të kërkosh për një person 12 vite burgim me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe personi të jetë në gjendje të lirë, kjo ndodh për herë të parë në 30 vite. Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohen 12 vite për një person, që tregon se ka rrezikshmëri të lartë shoqërore, pra ka mundësisë të prishë prova, dhe ai të gjykohet apo të hetohet në gjendje të lirë. Pra, e gjitha kjo është një show. E kemi thënë që në fillim, Edi Rama është peng i Saimir Tahirit, për shkak të dosjes së  vëllait të tij, dosjes “Xibraka”.

/a.m/NOA.al