Transmetuar më 12-09-2019, 08:15

Pronari i jahtit luksoz, Nedim Akyuz, do të jetë person në hetim për zhdukjen misterioze të kapitenit.

Sevgin Javuz ka humbur kontaktet që prej 6 shtatorit, ndërsa mjeti lundrues u pikas i braktisur rreth 12 milje larg bregut në Shëngjin. Deri tani nuk ka asnjë të dhënë lidhur me fatin e 31-vjeçarit turk.

Përveç dyshimeve se gjithçka mund të jetë një ngjarje aksidentale, ku i riu mund të jetë mbytur, për shkak të ndonjë problemi shëndetësor, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të jetë kriminale.

Biznesmeni turk, Nedim Akyuz, që rezulton të jetë dhe pronari i jahtit luksoz “Atik Bey”, nëpërmjet një kërkese i ka kërkuar Prokurorisë dhe Policisë së Lezhës marrjen e jahtit, pasi sipas tij, qëndrimi në molin e Portit të Shëngjinit do të sillte degradimin e mjetit lundrues, që ka një vlerë të madhe monetare.

Por, nga sa mësohet, kërkesa e biznesmenit turk është refuzuar nga grupi hetimor, pasi mjeti lundrues është i bllokuar në cilësinë e provës materiale, pasi pikërisht në këtë mjet ka humbur kontaktet dhe nuk gjendet kapiteni turk Sevgin Javuz. Dy ditë më parë, biznesmeni Akyuz ka qenë në Shëngjin, i shoqëruar nga drejtuesit e Policisë dhe të ambasadës ku ka parë nga afër gjendjen e mjetit lundrues dhe vendin ku është ankoruar.

Pasi i është refuzuar kërkesa për të marrë jahtin, biznesmeni turk ka kërkuar që të paktën mjetit lundrues të largohet nga Porti i Shëngjinit dhe të ankorohet në një vend me standarde, në mënyrë që të mos pësojë dëmtime. Sipas burimeve për këtë, ai ka marrë dakordësinë e Prokurorisë dhe Policisë dhe po shihet mundësia e ankorimit në ndonjë port tjetër deri në përfundim të hetimeve.

DYSHIMET

Biznesmeni turk Nedim Akyuz vijon të qëndrojë në Shqipëri, ndërsa në vendin tonë mësohet se ndodhen dhe familjarë të kapitenit të zhdukur. Nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, mësohet se pronari i jahtit është person nën hetim për zhdukjen. Hetuesit po kërkojnë prova nëse mes tyre ka pasur konflikt që më pas mund të ketë çuar në vrasjen e 31-vjeçarit turk.

Gjatë marrjes në pyetje, Akyuz ka treguar itinerarin që do të ndiqte jahti me emrin “Atik Bey” dhe bisedën e fundit që ka pasur me kapitenin. Sipas dëshmisë së tij, kapiteni në momentin e zhdukjes, ka qenë duke udhëtuar drejt Korfuzit, pasi më parë ishte furnizuar me karburant në Budva të Malit të Zi.

“Fillimisht ka shkuar në Korfuz, ku ka lënë në port familjen e vëllait tim, që po kalon pushimet në Greqi dhe më pas kapiteni i jahtit ka udhëtuar i vetëm në drejtim të Malit të Zi, ku në Budva është furnizuar me karburant dhe më pas ka marrë sërish rrugën e kthimit drejt Korfuzit. Hera e fundit që kam biseduar me kapitenin e jahtit ka qenë data 6 shtator, ku Sevgin Yavuz më ka pohuar se ishte duke lundruar në ujërat shqiptare, pranë zonës së Durrësit, por në det kishte jashtëzakonisht shumë erë dhe lundrimi po bëhej i vështirë”, ka thënë biznesmeni turk, shkruan ‘panorama’.

Mister mbetet edhe fakti që, lundrimi i këtij mjeti në afërsi të Shëngjinit nuk është diktuar nga radarët policorë, çka dyshohet se vetë shtetasi turk mund të ketë fikur pajisjen sinjalizuese. Për këtë gjë, tashmë janë nisur edhe verifikimet nga Prokuroria e Lezhës, për të parë nëse është ndjekur praktika standarde e institucioneve përkatëse, apo pajisja sinjalizuese është fikur me tendencë nga turku Sevgin Yavuz. Jahti “Atik Bey” u pikas nga një peshkarexhë rreth 12 milje larg Shëngjinit.

Ndërkohë, autoritetet malazeze u kanë kthyer përgjigje zyrtare autoriteteve të vendit tonë, pas kërkesës që këta të fundit u bënë për itinerarin. Nëpërmjet letërporosisë, porti detar i Tivarit në Malin e Zi ka pohuar se shtetasi turk Sevgin Yavuz ishte regjistruar i vetëm në bordin e jahtit në datën 2 shtator.