Transmetuar më 12-09-2019, 09:23

Fund i lumtur për ishullin e Serpentara, në juglindje të Sardegna në Itali, i cili prej kohësh është nxjerrë në shitje për 600 mijë euro.

Një sipërmarrës roman, Fabio Sbianchi, themelues i Octo Telematics, i cili merret me shërbimet e lëvizjes rrugore, ka vendosur që ta blejë ishullin dhe t’ia dhurojë komunës. Arsyeja? Është i dashuruar me Sardegnan.

Sbianchi, i cili është i pasionuar pas ambientit, ka një kompani agrikulture dhe disa shtëpi mes brigjeve të Villasimius dhe Costa Rei.

Në vitin 1975 ishulli ishte blerë nga një person i pasur dhe së fundmi ishte nxjerrë në shitje nga një kompani imobiliare.

Pjesa veriore e ishullit është e vizitueshme nga deti, pasi ka edhe një mini port. Mirëpo pronari i ri Sbianchi i ka idetë e qarta, ishullin do ia dhurojë komunës në mënyrë që të kthehet në një park të vizitueshëm për të gjithë.

“Jam i lumtur që personi që e bleu ishullin ka të njëjtin vizion me ne, duhet të mbetet park, ndonëse duhen rregulluar kullat dhe duhet pastruar një shteg gjë që kërkon rreth 300 mijë euro”, deklaroi kryebashkiaku i Villasimius, Gianluca Dessì. /a.y/noa.al