Transmetuar më 12-09-2019, 10:29

Kryedemokrati Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe zyrtarë të tjerë të opozitës bënë homazhe paraditen e sotme në memorialin e Azem Hajdarit, me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së ish-udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të dhjetorit të vitit 1990.

Në fjalën e rastit pas homazheve, Basha tha se sot shqiptarët anë e mbanë nderojnë Azem Hajdarin, liderin e lëvizjes studentore të vitit 1990 dhe kreun e komitetit nismëtar themelues të partisë së parë pluraliste në Shqipëri, Partisë Demokratike, i cili u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit bashkë me shoqëruesin e tij Besim Çera.

“Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane, demokratike, ku qytetarët janë zot të fateve të tyre, të një Shqipërie, me një politikë të ndarë nga krimi ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe prapa hekurave dhe fatet e vendit të merren nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë dhe të ndershme për të marrë barrën e përgjegjësive dhe për ta çuar at drejt finalizimit me sukses. Edhe sot krimi vazhdon të ketë uniformën, mbrojtjen dhe postet shtetërore, shqiptarët vazhdojnë të vuajnë ekonomikisht të jenë të papunë dhe të kërkojnë shpëtim rrugëve të botës, për shkak të një pushteti që nuk buron nga vota, por krimi dhe korrupsioni që i shërben krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se e sotmja është thirrje për bashkim për gjithë demokratët e ndershëm dhe socialistë e ndershëm që nuk e pranojnë dot politikën e lidhur me krimin, për tu bërë bashkë dhe për të hapur bashkë rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa.

Basha deklaroi në mbyllje se “21 vjet pas sakrificës sublime të dhjetorit 1990 ka ardhur koha të mbyllet sipari i tranzicionit dhe të hapet rruga e mundësive të barabarta për çdo shqiptare, ky është nderimi më i madh për Azem Hajdarin”. /a.y/noa.al