Bushati valë kritikash: Patriotizëm fals! Të dobët si shtet, për të mbrojtur shqiptarët jashtë atdheut
Transmetuar më 12-09-2019, 11:21

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehet kritik me punën e shtetit shqiptar në raport me diasporën.

Duke folur sot gjatë seancës parlamentare ku po diskutohej ratifikimi i marrëveshjes me Kanadanë, ai deklaroi se jemi në vendet e fundit në Europë, ku diaspora nuk ka të drejtën për të votuar dhe se ata kërkojnë njohje të kontributeve, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të dedikuar për ta.

“Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revulocionizuar shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atdheut, duhet të mbështesim financiarisht edhe këtë si prioritet”, u shpreh Bushati.

Ai deklaroi se 30 vite pas rënies së komunizmit jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, “por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash”.

Bushati kërkoi që të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë, duke shtuar se “Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre”, tha ish-ministri. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...