Transmetuar më 14-09-2019, 08:40

Një operacion i policisë së Vlorës i koduar “Portofoli” ka vënë në pranga dy persona, të cilët në bashkëpunim, kanë kryer një sërë vjedhjesh në qytet, kryesisht portofolë nga qytetarë të ndryshëm.

Pas hetimeve, ndjekjeve dhe vëzhgimit prej afro dy muajsh, uniformat blu kanë bërë arrestimin e Arjan Telo, 53 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për vjedhje dhe Edmond Peçollari, 52 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh.

Dy fierakët janë kapur nga policia pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur portofolat e dy shtetasve pranë poliklinikës së qytetit.

Ata akuzohen se më 2 shtator, në këtë poliklinikë në Vlorë, i kanë vjedhur portofolin nga xhepi shtetasit K. L., dhe i kanë marrë 8 000 lekë dhe më 9 shtator, në të njëjtin vend kanë vjedhur nga xhepi portofolin e shtetasit H. B., nga i cili kanë marrë 4 000 lekë.

Nga puna intensive hetimore e Komisariatit të Policisë Vlorë, kryer prej afro 2 muajsh, ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur janë autorë të dyshuar për kryerjen e 7 vjedhjeve të tjera në qytet, të specifikuara si më poshtë:

-Më datë 26 qershor, në lagjen “Isa Boletini” Vlorë, i kanë vjedhur portofolin shtetasit E. H.

-Më datë 18 korrik, në lagjen “29 Nëntori” Vlorë, i kanë vjedhur portofolin shtetases V. H., ku dyshohet se kanë marrë 25 000 lekë dhe 250 euro.

-Më datë 2 korrik, dyshohet se i kanë vjedhur shtetases norvegjeze H. R., portofolin me 45 000 lekë.

-Më datë 22 qershor, pranë një marketi, dyshohet se i kanë vjedhur portofolin shtetasit P. N., me një sasi parash prej 400 000 lekësh.

-Më datë 27 shkurt, dyshohet se i kanë vjedhur shtetasit G. M., portofolin me mjete identifikuese brenda.

-Më datë 30 janar, në Novoselë, dyshohet se i kanë vjedhur shtetasit F. A., portofolin me një sasi parash prej 4 000 eurosh.

-Më datë 11 janar, në ambientet e Spitalit Rajonal Vlorë, dyshohet se i kanë vjedhur shtetases M. Sh., një sasi parash rreth 50 000 lekë dhe 500 euro.

Dy të dyshuarit i kanë kryer këto veprimtari vjedhjesh kryesisht në ambiente ose mjedise ku ofroheshin shërbime publike, me qëllim që të përfitonin nga grumbullimi i njerëzve. /a.y/noa.al