Transmetuar më 14-09-2019, 06:18
Ylli Manjani gjate nje deklarate kur ishte minister i Drejtesise

Negociatat janë vetëm luga bosh me të cilën do të tentohet të ushqehet ky popull.

Asgjë, po asgjë fare nuk ndryshon në jetën e njerëzve që ju ka rënë për hise të gdhihen e ngrysen në këtë vend.

Në daç të vendoset hapja, në daç të vendoset mos hapja, njerëzve do ju hapen trutë me propagandën e lufës bosh.

E ç’lugë pa! Lugë europiane. Kjo e fundit se di më se ku është për vete se s’është më e sigurtë as ta japë e as të mos e japë lugën.

Ndaj, në paçi mëshirë o qeveritarë e politikanë (pozitë e opozitë), boll na hapët trutë me këtë muhabet.

Mblidhni trutë tuaja e bëni diçka që këtij vendi ti ndalet hajnia e parave e pasurisë publike me PPP e koncension; ti kthehet njerëzve liria e t’u jepet mundësia të votojnë demikratikisht; tu jepet njerëzve shteti që mungon, pushtetin mbajeni për vete se nuk bën 1 lekë.

Bëni një gjë të mirë për vendin tonë të përbashkët, se vetëm atëhere do jemi në Europë si europianë.

Se sot jemi trafikantë, kriminelë e të korruptuar që përfaqësohemi nga pordhacë me atlete. Kështu na njeh Europa reale, tek kufinjtë e së cilës merremi në pyetje e trajtohemi si njerëz me rrezikshmëri të lartë.

Nuk ndryshon asgjë nganjë vendim me apo pa kushte, për të çelë ose jo negociatat.

Vendimi për të ndryshuar situatën më të keqe të mundshme ku gjendemi, merret këtu në Shqipëri.

Askund tjetër!

Këtu është vendosur gjithmonë. Kush mendon se vendosen jashtë këto gjëra, është naiv ose partiak që bën propagandë.

As më kërcet fare me thënë të drejtën hapen apo nuk hapen negociatat.

Shqipëria reale ka halle më të mprehta, ku i pari në radhë është rikthimi i parlamentit pluralist.

Pa parlamentin e mbushur me përfaqësues të popullit dhe jo të qeverisë, nuk bëhet asgjë.

Asgjë fare!