Transmetuar më 14-09-2019, 13:53

Instituti i Shëndetit Publik del me deklaratë lidhur me fluksin e pacientëve te reparti Infektivit në qendrën shëndetësore “Nënë Tereza”.

ISHP sqaron se, nga analizat e kryera deri tani në mostrat e marra në pacientë me shqetësime dhe shenja të traktit tretës, nga të gjithë rastet e ekzaminuara, vetëm 5 raste kanë rezultuar me salmonelë, duke deklaruar nuk rezulton evidencë për përhapje të këtij bakteri.

Deklarohet se nga analizat e mostrave të marra, rezulton se situata e ndodhur lidhet me temperaturat e larta, situatë e zakonshme sezonale, e krahasueshme me vitet pararendëse.

"Shtrimet ne shërbimin infektiv janë shumë të ulëta në raport me numrin e rasteve të paraqitura dhe fluksi aktualisht në këtë spital ka rënie të konsiderueshme”, thuhet në qëndrim.

Më tej shtohet se Instituti i Shëndetit Publik do të vijojë monitorimin e situatës, duke ritheksuar se rastet e shfaqura janë normale për sezonin dhe temperaturat aktuale dhe rekomandon zbatimin rigoroz të higjienës personale dhe kërkimin e ndihmës mjekësore në rast të shqetësime të kësaj natyre. /a.y/noa.al