Transmetuar më 14-09-2019, 17:50

Çfarë mund t’i motivojë dy vajza nga Çekia për të përshkuar, në këmbë, alpet nga Mali i Zi, Thethi e për të mbërritur në fund në Tiranë? Giang Nguyen Thu dhe Lucie Klattova janë dy të reja, përkatësisht 25 dhe 26 vjeç, që udhëtuan 5 ditë për t’iu bashkuar kolegëve të tyre, ardhur nga e gjithë bota, në eventin që Vodafone organizoi për herë të parë në Shqipëri. VIDA Albania quhet aktiviteti 3-ditor që ka mbledhur në kryeqytet 100 të rinj nga 15 vende të botës: të gjithë me energjinë dhe kuriozitetin për të kontribuar me ide novatore. Përfaqësues nga Greqia, Spanja, Irlanda, Anglia, Turqia, Gjermania, Hungaria, Kongo, Mozambiku, Afrika Jugore, Çekia, Hollanda dhe Italia e nisën aktivitetin të enjten në mbrëmje. Ata patën mundësi të provonin ushqimin dhe muzikën tradicionale shqiptare. E premtja vijoi me konferencën 1- ditore, ku të rinjtë u njohën me disa nga problemet me të cilat përballen shqiptarët, si dhe propozuan ide për zgjidhjen e tyre nëpërmjet teknologjisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, z. Achilleas Kanaris, tha: “Jam shumë krenar që këtë vit, Vodafone Albania po organizon për herë të parë eventin VIDA në Tiranë. Jeni shumë me fat që keni ardhur në Shqipëri, në këtë vend shumë të bukur e me një klimë fantastike. IoT janë një pjesë e rëndësishme e asaj çfarë bëjmë në Shqipëri. Puna që do të bëni sot është shumë e rëndësishme. Mezi po pres të shoh rezultatet e konferencës së sotme. Ajo që bëjmë sot do të jetë realiteti i së ardhmes. ” Pjesë e konferencës ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili theksoi dhe njëherë partneritetin e ngushtë midis Bashkisë së Tiranës dhe Vodafone Albania për ta kthyer Tiranën në “një qytet të zgjuar.” Pjesëmarrësit vendosën ta mbyllnin këtë aktivitet me një mesazh të fortë kundër shkatërrimit që po i bëhet planetit nga mbetjet plastike. “Pa plastikë, Toka s’ka frikë”: Kjo është thirrja që mbart instalacioni në formën e planetit Tokë, i vendosur tek Liqeni Artificial i Tiranës. Instalacioni do të qëndrojë i hapur për të gjithë vizitorët që duan të lënë shenjën e tyre nëpërmjet një autografi ose dhe fotografie. VIDA iu dedikohet të përzgjedhurve nëpërmjet programit Vodafone Discover Graduate me qëllimin për të forcuar lidhjet dhe komunikimin mes tyre. Programi Graduates është një program punësimi për të rinjtë e sapodiplomuar në fushën e teknologjisë dhe biznesit. Që prej vitit 2010, Vodafone Albania punëson çdo vit 10 të rinj të cilët përgatiten për të qenë liderët e së ardhmes.