Transmetuar më 14-09-2019, 22:15

Kush nuk u dashurua me stilin e tyre, muzikën që sollën pas ’90, në ato vite të vështira për shqiptarët.

Një grup lezhjan, me djem të talentuar bëri epokë.

“Djemtë e Detit” lanë gjurmë të thella në memoriet e shqiptarëve.

Publiku dhe dëgjuesit e tyre me siguri i mbajnë mend këndë “Ëndrrat për ty i thura”, “Mos qaj”. Ata u bënë akoma më të dashur për dëgjuesit dhe me hite te tjera si “Lamtumirë”, “Jo Tani”, “Kohë pa ty”, Baladë për Jakup Ferrin”, “Izolimi vdes”etj.

Çmimin e tyre të parë e morën nga publiku, që i kujton edhe sot me nostalgji.

Valentin Markvukaj, kompozitori, tastieristi dhe producenti i grupit, së bashku me Gent Demaliajn, solistin dhe poetin e këngëve, ishin ata të cilët vijuan bashkëpunimin edhe pas shpërndarjes së grupit. Markvukaj dhe Demaliaj mbeten pjesëtarët e fundit të grupit.

Sot lideri i grupit, Gent Demaliaj nuk jeton më.

Ndër sukseset e grupit renditen: Në Dhjetor 1991, Festivali i 30-të në RTSH me këngën “Endrrat Qe Per Ty I Thura”, ku fitojne çmimin e dyte (Muzika: B.Daci Teksti: G. Demaliaj). Në Dhjetor 1992, Festivali i 31-të në RTSH me këngën “Lamtumire”. Në Dhjetor 1994, Festivali i 33-të në RTSH me këngën “Nxitoj”. Në vitin 1995, Festivalin e Pare te Rockut Shqiptar, fitojnë çmimin e dytë.

Në vitin 1996, Festivalin e Dytë të Rokut Shqiptar, fitojnë çmimin e parë. Në Dhjetor 1996, Festivali i 35-të në RTSH me këngën “Balade Per Jakup Ferrin”, ku fitojnë çmimin për përpunimin e këngës popullore etno-rock. Në vitin 1997, “Djemtë e Detit” publikojnë albumin “Izolimi Vdes”. Ky album, që vijon të shitet edhe në tregun e sotëm muzikor, përmblidhte gjithë krijimtarinë e grupit dhe në këtë mënyrë mbyllte kështu edhe fazën e parë të karrierës së tyre.

Në Dhjetor 1997, Festivali i 36-të në RTSH me këngën “Mos Qaj”, fitojnë çmimin “Interpretuesi dhe grupi më i mirë”. Në Dhjetor 1998, Festivali i 37-të në RTSH me këngën “Kohë Pa Ty” fitojnë çmimin “Interpretuesi më i mirë” si dhe çmimin special “Kënga më e miëe” akorduar nga Ministria e Kulturës.

Në Shtator 2002, Mikrofoni i Artë 2002 me këngën “Jo Tani”, fitojnë çmimin e parë .

Në Nëntor 2007, Kënga Magjike 2007 me këngën “Në Udhëkryq”. Më 14 Mars 2009, Djemtë E Detit publikojnë albumin “Epos”, i cili shënoi një fazë të re në krijimtarinë e tyre. Përsa i përket albumit “Epos”, muzika është e bazuar në rrok, por ka edhe këngë nga gjini të tjera duke qenë se ishte i natyrës tipike eksperimentuese.

Fatkeqësisht, vokalisti i grupit, Gent Demaliaj ndërroi jetë më 27 Janar 2015, pas një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh.

Demaliaj kur fliste për albumin e fundit të tyre rrëfente përpjekjet për të përfshirë në të, shkallët folklorike me çdo element të kompozuar.

Por edhe pse u largua nga kjo botë, me shpirtin e tij artistik, mbeti i freskët në kujtesën e publikut, për të mos u harrruar kurrë.

Ata erdhën në fillim të viteve ’90, dhe ia dolën të fitonin zemrat e publikut, ndonëse konkurrenca në muzikë ishte e ashpër dhe jeta e atyre viteve e vështirë.

Ata ishin artistë të vërtetë, edhe sot të papërsëritshëm. Nëse Demaliaj iku përgjithmonë, të tjerët ndoshta vendosin të tërheqen nga muzika. Ndoshta nuk duan të përzihen me muzikën tallava të ditëve të sotme, me tekste brutale e muzikë pa vegla muzikore, me një treg që ka pushtuar si pakuptim rininë e sotme, “hitet” e të cilit i merr era brenda vitit.

Dhe nuk duan ndoshta të krahasohen me këngëtarë që shkëlqejnë brenda ditë dhe ndoshta do të harrohen shpejt, brenda një viti, ndryshe nga ata që bënë epokë. /a.m/NOA.al