Transmetuar më 15-09-2019, 11:49

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka përshëndetur sot 15 shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Në mesazhin e tij Ruçi shprehet se Kuvendi është një institucion kyç i demokracisë dhe mbështetet në veprimtarinë e tij parlamentare ligjbërëse e kontrolluese.

“Kjo ditë na kujton se demokracia liberale është forma kryesore e demokracisë në kohën e sotme. Dhe demokracia liberale është në rradhë të parë e mbi të gjitha demokraci kushtetuese.

Kushtetuta është garanti i demokracisë dhe Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur deri në fund dhe pa asnjë kompromis për mbrojtjen e Kushtetutës.

Kuvendi është një institucion kyç i demokracisë dhe mbështetet në veprimtarinë e tij parlamentare ligjbërëse e kontrolluese në parimin universal të Magna Carta se demokracia mund të realizohet si demokraci nën ligj.”, shkruan në mesazhin e tij me Ruçi.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë kremtohet nga parlamentet e të gjitha vendeve dhe Unioni Parlamentar Ndërkombëtar, rekomanduar nga Rezoluta e Kombeve të Bashkuara e nëntorit 2008./b.l/noa.al/