Nga Spartak Ngjela: Historia në rrugën e rivlerësimit të saj. I gjithë Ballkani Perëndimor ka qenë shqiptar
Transmetuar më 16-09-2019, 20:33

OPINION nga Spartak Ngjela

Të gjithë liderët e korruptuar të Shqipërisë janë të shqetësuar për planin gjerman në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe me caktimin e Matthew Palmer-it si përfaqësues i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Sidomos, të gjithë bashkë i shqetëson fakti që negociatat me Bashkimin Europian do hapen me vendosjen e një sërë kushtesh. Nuk janë kushtet dhe pastaj çelja e negociatave, por është çelja e pas saj vijnë kushtet.

Realisht, kjo është politikë. Pse? Sepse, secili kryeministër që nuk i plotëson kushtet, duhet të rrëzohet. Dhe kuptohet qartë pse: unë po t’i çel negociatat, por ti duhet të plotësosh këto kushte. Nëse nuk i plotëson, të mbyllen negociatat. Domethënë shqiptarët duhet të zënë me gurë kryeministrin.

Kjo në fakt është risi që nuk pritej nga korrupsioni në Tiranë. Por janë naivë, sepse mendja iu qëndron prore me frikë te SPAK-u. Kurse pyetja që ngrihet këtu është kjo: A do të ketë realisht një presion politik kundrejt lidershipit aktual shqiptar për shpejtimin e SPAK-ut?

Sigurisht që po. Tani historia e Shqipërisë ka hyrë në rrugën reale të rivlerësimit të saj.

l.

Vetëm injorantët nuk e kuptojnë dot, kur situata është kundër tyre, dhe prandaj vijojnë me shpresa fëminore të luftojnë kundër ligjit. Kështu po ndodh sot edhe me të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë.

Shqipëria në këtë çast historik përbën një impenjim parësor të politikës amerikanë dhe gjermane. Edhe Kosova, edhe Maqedonia gjithashtu. Dhe kjo është në fakt një arsye që vjen nga përplasja e interesave të Perëndimit të lartë në funksion të interesit për Ballkanin Perëndimor. Kurse, korrupsioni i lartë shtetëror, i kërcënuar nga SPAK, ku nuk është përplasur, deri edhe në Moskë ka shkuar, dhe kundër politikës amerikane. Por, duke qenë në hallin e procesit penal kundër tyre, mendojnë me terr mendor të gjejnë shpëtim te kundërshtarët shekullorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sigurisht, ky është një turp historik. Por këta nuk janë të parët që e bëjnë, në fakt, koha e solli që këta të jenë të fundit.

Por edhe politika amerikane ua ka zbuluar të gjitha, ndonjërit nga kryesorët, ia ka vënë faktin edhe përpara, në tryezën e bisedimeve. Domethënë, janë pa shpresë dhe nuk duan ta kuptojnë.

ll.

Po me rivlerësimin e historisë së Shqipërisë, çfarë po ndodh realisht?

Asgjë nuk mund t’iu bëjnë dot më shqiptarëve pushtuesit sllavë dhe grekë këtej e tutje, në kohën që vjen. Gjithçka në Ballkanin Perëndimor do të flasë shqip.

Politika amerikane po zbulon të vërtetën. Jo më larg se dje, CIA ekspozoi materialin e saj në lidhje me politikën antishqiptare të serbëve. "As ka pasur e as nuk ka turq në Shqipëri, dhe as në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. E gjitha kjo tendencë që ka bërë turq shqiptarët, ka qenë politikë serbe antishqiptare… Nuk ka turq në Prizren e Prishtinë, ata janë shqiptarë që dinë një turqishte të çalë e me fjalë shqipe", – shprehet hapur CIA në materialin e vet.

Ky ishte një fakt i vjetër që dihej, dhe ishte i fshehur me dhunë ekstreme. Tani gjithçka po ekspozohet nga CIA, me burim dokumentar të saktë, deri më tash të bllokuar nga historia genocidiale e Serbisë kundër shqiptarëve.

Por, mos mendoni se kjo është shfaqje e fundit. Ky është i pari ekspozim dokumentar i të vërtetave historike.

Do të ketë akoma?

Sigurisht që do të ketë. Por pyetja më me afekt që ngrihet këtu është kjo: po historia e mbyllur në lidhje me shqiptarët e persekutuar nga grekët në shtetin grek, a do të hapet? A do të ekspozohet historia e fshehur brutalisht që, edhe për këtë rast, të shihet qartë ndërkombëtarisht e vërteta e Çamërisë, e Kosturit, e Follorinës dhe e të gjithë Shqipërisë që u grabit në vitin 1913 nga Greqia me gënjeshtrat se shqiptarët janë turq? Po genocidi grek antishqiptar në Çamëri, dhe dhunimi i gjuhës shqipe në Epir?

Sigurisht që do të dalë edhe kjo histori e fshehur, se është identike me atë të Serbisë genocidiale. Kjo histori e fshehur e Shqipërisë, pritet në fakt të jetë thelbi politik i historisë së afërt që po vjen në Ballkanin Perëndimor.

I gjithë Ballkani Perëndimor ka qenë shqiptar, dhe shqiptarët sot janë aleatët më të vendosur të Shteteve të Bashkuara.

Të gjitha do të dalin, se ajo që është fshehur është e vërtetë historike.

Pse, ju mendoni që, materiali i sapobotuar botërisht i CIA-s do të jetë një rast i izoluar?

Jo. Aspak. Prisni dhe shikoni!

Po korrupsioni i lartë shtetëror në Tiranë? Për të gjithë këtë që po vjen, ata janë pa fare shpresë.

/a.m/NOA.al

Loading...
Loading...