Transmetuar më 19-09-2019, 18:08

Nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Problemi me dijen dhe anashkalimi apo hedhja në rrugë , në mënyrë absurde, e atyre që zotërojnë atë, duket se është fenomen kombëtar.

Kjo është edhe arsyeja pse triumfon injoranca, në çdo fushë ka mungese ekspertize dhe në oborret akademike triumfon kaosi, fenomenet negative, si dhe produkti shkencor është zero.

Siç ndodh rëndom në Shqipëri, ku më të mirët flaken, ashtu ndodh edhe në Kosovë.

Absurditete që nuk mund të shpjegohen.

Shqipdona Lahu, studentja e cila kishte përfunduar Fakultetin e Mjekësisë më notën maksimale 10.0 nuk ka arritur të zgjidhej asistente në asnjërën prej tri lëndëve ku kishte konkurruar si asistente në fakultetin ku mbaroi studimet e për rrjedhojë tha se do të largohet të punojë në Mynih.

Shqipdona Lahu përmes një statusi në Facebook ka reaguar në lidhje me vendimin e këshillit të Fakultetit të Mjekësisë për mos-angazhimin e saj në personelit akademik.

Lahu ishte një nga kandidatet që i plotësonte të gjitha kushtet dhe ishte e vetmja me notën maksimale 10.0, por kjo nuk i ndihmoi të marrë detyrën që e pretendoi, çka do të ishte nder për vetë fakultetin, Kosovën, pse jo edhe Kombin shqiptar.

Reagimi i plotë i Shqipdona Lahut:

Vendim i turpshëm i këshillit të Fakultetit të Mjekësisë!!

Se është kriminalizuar gjithçka në Kosovë u vërtetua edhe me vendimin e këshillit të FM për angazhimin e personelit akademik, me ç ‘rast unë si studentja me suksesin më të lartë në studime, prej ekzistimit të këtij fakulteti, nuk zgjidhem asistente në asnjërën prej tri lëndëve ku kam konkurruar, edhe pse isha e vetmja me notën maksimale (10.0).

Për shembull, në lëndën e Anatomisë angazhohen dy kandidatë, ku asnjëri nga ta, në dy provimet e kësaj katedre (Anatomi 1 dhe Anatomi 2) nuk ka notë më të lartë se nota 8. Vallë si do ia dalin këta me studentët?!

Është turp të anashkalohen kandidatët që në këto dy provime kanë nota maksimale!

Kjo tregon se edhe këtu ka nevojë për një task-forcë për luftimin e korrupsionit, klientelizmit, krimit të organizuar dhe anomalive tjera.

Për më tepër, kjo tregon më së miri nivelin në të cilin është katandisur arsimi në tërësi, e veçanërisht ai universitar, andaj nuk ishte e rastësishme gjetja e ORCA- s në të cilën potencohet se 72% e profesorëve të UP-së, nuk i arsyetojnë thirrjet e tyre akademike, e 45% prej tyre s’kanë asnjë punim shkencor të publikuar në revista të mirëfillta shkencore.

Deklarimi i Albin Kurtit se për të rregulluar gjendjen në arsim duhen dy mandate është më tepër se i saktë, është profetik.

Nuk dua ta kuptoni këtë brengë si problem timin, ngase ai më së paku është imi.

Kjo ishte mundësia e fundit dhe fjala që i kisha dhënë babait dhe familjes për qëndrim në Kosovë, ngase Universiteti Teknik i Mynihut më ka akorduar doktoraturën, me të përfunduar studimet.

Unë jam fitimtare, ju vuani që nuk jeni si unë!

Të gjithë ju, që në mënyrë direkte keni gisht në këto përzgjedhje, turpi u mbuloftë!

Po nuk gjetët ilaç në Kosovë kur të sëmureni, sepse vetë po i largoni kuadrot, mua do më gjeni në Mynih; e unë do kujdesem për ju aq mirë, sa ndërgjegjja t’u mundojë tërë jetën.

Nga ky shkrim imi nuk duhet të ndihen të prekur profesorët e vërtetë!/a.m/NOA.al