Transmetuar më 19-09-2019, 23:04

Gjykata për Krime të Rënda publikoi para pak çastesh vendimin për ish ministrin e Brendshëm dhe ish deputetin e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri duke e shpallur fajtor.

Tahiri u dënua formalisht me 5 vjet heqje lirie, por ky dënim nuk do të zbatohet.

Gjykata çmoi se Tahiri duhet të vuajë tre vjet survejim përmes shërbimit të provës pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi me 5 vjet burgim i konvertohet me liri të kushtëzuar.

Me këtë vendim, Tahiri i shpëton burgut, pasi ligji detyron të dënuarin vetëm që të paraqitet një herë në muaj në zyrën e Shërbimit të Provës.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, ku vendimin e ka konsideruar të turpshëm, duke mos bërë drejtësi.

Sipas Bashës, “vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin”.

“Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit.

Vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i Edi Ramës.

Përsa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi, krimi dhe të pushtetshmit do të jenë të paprekshëm, Shqipëria do të mbetet peng i krimit dhe shqiptarët më të varfër e më të papunë.

Vetëm çlirimi i qeverisjes nga krimi do ti hapë rrugë drejtësisë së vërtetë dhe mirëqenies për të gjithë shqiptarët”, shkruan Basha në reagimine tij në rrjetet sociale./a.k/noa.al/