Transmetuar më 19-09-2019, 23:25

Kosova në basketboll ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme në renditjen e re të FIBA-s.

“Pas përfundimit të Kampionatit Botëror në Kinë është publikuar renditja e re nga FIBA. SHBA mbetet në vendin e parë, duke u ndjekur nga Spanja, ndersa Australia është ngjitur në vendin e tretë duke avancuar me tetë vende, ndersa pasohet nga Argjentina dhe Franca”, bën të ditur FBK-ja përmes faqes zyrtare.

FBK shprehet se Kosova ka përparuar me 21 vende në renditjen e FIBA-s dhe tashmë ndodhet në vendin e 69-të (duke përfshirë edhe gjeneratat e reja). Ata kanë grumbulluar 124 pikë. Madje, Kosova është një nga vendet me ngritjen më të madhe në botë në bazë të renditjes së re.

Belize është ngjitur në renditje me 50 vende, Kosova dhe Togo nga 21 vende, Tunizia 18 dhe Bregu i Fildishtë 16. Pra, Kosova kishte ngritjen më të lartë nga shtetet evropiane, duke u ndjekur nga Qipro +15, Republika e Çekisë +14, Polonia +12 dhe Luksemburgu +11.

Sa i përket renditjes për Evropën, Kosova pozicionohet në vendin e 37-të.

Edhe Shqipëria ka shënuar rritje me pesë vende, dhe tani pozicionohet e 109-ta.