Transmetuar më 20-09-2019, 00:08

Gjykata për Krime të Rënda publikoi mbrëmjen që lamë pas vendimin për ish ministrin e Brendshëm dhe ish deputetin e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri duke e shpallur fajtor.

Tahiri u dënua formalisht me 5 vjet heqje lirie, por ky dënim nuk do të zbatohet.

Gjykata çmoi se Tahiri duhet të vuajë tre vjet survejim përmes shërbimit të provës pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi me 5 vjet burgim i konvertohet me liri të kushtëzuar.

Me këtë vendim, Tahiri i shpëton burgut, pasi ligji detyron të dënuarin vetëm që të paraqitet një herë në muaj në zyrën e Shërbimit të Provës.

Po ashtu zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike po për të njëjtën periudhë.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal./a.k/noa.al/