Transmetuar më 20-09-2019, 10:28

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, ka deklaruar se sfida e radhës për Shqipërinë është censi i popullsisë dhe banesave për vitin 2020, si një element kyç për integrimin e vendit tonë.

Kryediplomati i BE tha se censi do të jetë baza e negociatave, dhe siç thotë Këshilli i Europës, duhet të bëhet në mënyrë të lirë dhe vullnetare. Ndër të tjera, Soreca deklaroi se shpreson që të çelen shumë shpejt negociatat e Shqipërisë me BE-në, duke shtuar se mbështetja evropiane do të vijojë.

“Jemi këtu për të diskutuar sfidën e radhës, censin për popullsinë dhe banesat për 2020. Rëndësia e popullsisë nuk është vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE-në dhe për aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Censi do të jetë baza e negociatave. Shpresa ime është që negociatat të çelen shumë shpejt.

Censi i vitit 2011 shënoi një gurë të rëndësishëm në gjithë BE-në. Edhe në Shqipëri censi u shënua në bazë të të dhënave të Eurostat. Censi është i lidhur ngushtë me miratimin e ligjeve për të drejtën në mënyrë të lirë. Shqipëria ka ende punë për të bërë për të përmirësuar më tej sistemin statistikor. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë”, tha ambasadori Soreca.