Transmetuar më 20-09-2019, 15:21

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka komentuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit Tahiri.

Gazment Bardhi thotë se ai ishte një goditje e rëndë për shqiptarët, dhe vërtetoi se me Edi Ramën dhe Arta Markun nuk mund të ketë drejtësi të pavarur.

“Vendimi që shpëtoi Saimir Tahirin nga burgu ishte një goditje e rëndë për të gjithë shqiptarët që shpresuar deri në minutën e fundit se drejtësia do të triumfonte, se politikanët e pushtetshëm, më në fund, do të ndëshkoheshin dhe se ligji do të ishte i barabartë për të gjithë.

Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë një, janë pjesë e së njëjtës kupolë mafioze që e shndërroi Shqipërinë në parajsën e krimit të organizuar dhe të kultivizimit dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës.

Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se drejtësia në Shqipëri është e pashpresë, përsa kohë ajo do të vazhdojë të mbahet peng nga Kryeministri, i cili qëndron në pushtet me votat e blera me bandat e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se me Edi Ramën kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës, nuk ka ndëshkim nga drejtësia, as për krimi, as për politikanët e lidhur me krimin”, tha Bardhi.

Ai vijon duke deklaruar se PD e kishte paralajmëruar me kohë atë që e quan teatër që po luhej me çështjen e Saimir Tahirit.

Dhe arsyen pse sipas tij Tahiri doli i paprekur nga drejtësia e lidh me faktin se “Edi Rama është peng i dosjeve të korrupsionit dhe i lidhjeve kriminale të tij dhe të familjes së tij”.

Për Bardhin “Saimir Tahiri posedon faktet e përfshirjes së Olsi Ramës në trafikun ndërkombëtar të drogës me laboratorin e kokainës në Xibrakë, prandaj “imazhi i Shqipërisë në Europë” nuk ka asnjë rëndësi për Edi Ramën”.

Dhe si për treguar se përse Edi Rama qëndroi në krah të Tahirit në këto dy vite, Bardhi rendit disa argumente.

1. Nuk lejoi prokurorinë të arrestonte që në fillim Saimir Tahirin, duke mos i hequr imunitetin në parlament dhe duke i dhënë mundësi atij të prishë provat.

Shkarkoi Prokurorin e Përgjithshëm, që kërkoi arrestimin e Tahirit dhe, nëpërmjet Arta Markut, largoi prokurorët e dosjes Tahiri. Ekstradoi në mënyrë të paligjshme financierin e bandës së Habiljave, duke i mbyllur gojën për paratë që banda kishte shpërndarë tek pushteti. Mbylli çështjen e Orest Sotës, mikut të Saimir Tahirit, në makinë e të cilit u gjetën 863 mijë euro në të njëjtën kohë, kur prokuroria bëri kontroll në shtëpinë e Saimir Tahirit. Ushtrojë presion mbi gjykatën për të mos dënuar dhe burgosur Saimir Tahirin, pas kërcënimit që ky i fundit i bëri me dosjet e korrupsionit dhe lidhjes me krimin.

Shqiptarët që shpresuan se do të kishte drejetësi për të paktën një peshk të madh në këto 6 vjet, e dinë se Saimir Tahiri bashkëpunoi me bandën e Habilajve dhe përfitoi nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Saimir Tahiri i vuri trafikantëve në dispozicion:

makinën dhe skafin e tij personal. shefat e policisë në Vlorë, që janë akoma në arrati nga drejtësia. 127 punonjës policie, të listuar në raportin e shërbimin sekret.

Çlirimi i vendit, i politikës dhe i drejtësisë nga krimi është e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë, thotë Bardhi. /k.k/noa.al/