Transmetuar më 21-09-2019, 14:29

Presidenti Ilir Meta e ka përcjellë me shqetësim faktin se çështjet gjyqësore që kanë qytetarët në gjykata, po zvarriten duke mos u ezauruar brenda afateve ligjore.

Në një status në Facebook, kreu i shtetit i referohet dy prej gjykatave më të rëndësishme, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

“Të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj, po cenohen haptazi nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike dhe askush nuk mundet t’u thotë qytetarëve se kur do të përfundojë shqyrtimi i tyre”, shkruan Meta.

Sipas tij, “sot askush nuk mban përgjegjësi publike edhe pse vendi nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese, ku dosjet që presin radhën për shqyrtim janë bërë pirg”.

Duke u ndalur te Reforma në Rrejtësi, Presidenti nënvizon se ajo “u bë për qytetarët dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë duhet t’i shërbejë vetëm qytetarëve”.

Të ndodhur në këtë situatë, Presidenti kërkon të merren masa në mënyrë që qytetarët të kenë akses në çdo shkallë të gjyqësorit.

“Duhen marrë të gjitha masat që të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cënohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë”, përfundon Meta. /k.k/noa.al/