Transmetuar më 21-09-2019, 14:47

Gratë socialiste kanë ngritur krye dhe i kundërvihen kapove drejtues të partisë ku aderojnë duke kërkuar që të bashkëdrejtojnë të gjitha strukturat e tyre.

Kërkesa vjen nga gratë e Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Grupit Parlamentar Socialist, ndërsa po përmbyllen përgatitjet për procesin e ri zgjedhor në parti.

Ato thonë përmes një kërkese që noa.al jua sintetizon më poshtë, “një mbledhje sa më të shpejtë të Kryesisë”.

Në kërkesë denoncohet se ndonëse me statut, PS garanton pjesëmarrje dhe garë të barabartë mes meshkujve dhe femrave, në të vërtetë realiteti është i zymtë për to.

“Nga analiza e fundit rezulton se nga 4954 Organizata Socialiste në total vetëm 574 drejtohen nga gra ose 12 %. Në Tiranë, nga 663 organizata, 127 ose 19 % drejtohen nga gra”, – thuhet në kërkesë.

Më tej vjen një tjetër denoncim: “Nga analizat rezulton se po ashtu organizata në një masë të konsiderueshme përfaqësimi familjar dhe fiktiviteti, përdoren si instrumente pengese për të rinjtë dhe sidomos për gratë”.

Në këtë pikë, gratë deputete dhe të Kryesisë së PS, kërkojnë që “secila prej 5000 organizatave socialiste në territor të bashkëdrejtohet nga një burrë dhe një grua”.

“Ne kërkojmë diskutimin e menjëhershëm në kryesi për të miratuar këtë ndryshim radikal organizativ me dy të zgjedhur, një burrë një grua, në drejtimin e organizatës bazë të Partisë Socialiste”, – përfundojnë anëtaret e Kryesisë së PS, gratë deputete dhe gratë ministre. /noa.al/