Transmetuar më 21-09-2019, 15:40

Partia Demokratike nuk ka asnjë dyshim që Edi Rama ka kapur drejtësinë, dhe këtë e ilustron me mosndëshkimin e Saimir Tahirit mbi akuzat e Prokurorisë.

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha në një deklaratë për mediat se Tahiri zbatoi planin e Edi Ramës për të kanabizuar vendin dhe për të blerë pushtetin me paratë e drogës.

Alibeaj flet për drejtësi me dy standarde të Kryeministrit Rama, e para Saimir Tahiri në liri, dhe e dyta qytetarët në burg.

“Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg. Njeriu që zbatoi planin e Edi Ramës për të kanabizuar Shqipërinë në funksion të blerjes së pushtetit me paratë e drogës, nuk ndëshkohet nga drejtësia, sepse me Edi Ramën në krye të qeverisë, drejtësia ka dy standarde: Saimir Tahiri në liri, duke shijuar pushtetin, paratë dhe luksin, ndërsa shqiptarët e zakonshëm në burg, ku humbin jetën për asgjë”, tha Alibeaj.

Përfaqësuesi i demokratëve solli shembuj konkretë që sipas tij vërtetojnë drejtësinë me dy standarde të Edi Ramës.

“Estref Halili, një 22 vjeçar nga Kolonja e Lushnjës u burgos për një cigare hashash ditën e Krishtlindjes dhe vrau veten në qelinë e burgut, ndërsa Saimir Tahiri nuk ka për të bërë as edhe një ditë burg, sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës.

Qamil Zela kryefamiljari 52 vjeçar që mezi ushqente familjen e tij, vrau veten në burg se nuk kishte 35 mijë lekë për të paguar energjinë elektrike.

17 kuksianë u mbajtën në burg më shumë se 1 vit, sepse protestuan kundër korrupsionit të Edi Ramës, që u vuri traun me 5 euro për të shkuar në shtëpi.

Ky është shteti me dy standarde që ka ndërtuar Edi Rama. Liri për bashkëpunëtorët e tij në krim, burg për shqiptarët e zakonshëm dhe të pambrojtur”, tha ndër të tjera Alibeaj.

Për të, burimi i të gjitha të këqijave është lidhja e politikës me krimin, të cilat pa i prerë nuk ka për të pasur drejtësi të vërtetë. /k.k/noa.al/