Transmetuar më 22-09-2019, 17:02

Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion 1 milionë dollarë për kapërcimin e të gjitha pasojave që mund të kenë lënë tërmetet në kryeqytet.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se janë marrë të gjithë masat për menaxhimin e kësaj situate.

“Ne do të akordojmë një fond të Bashkisë së Tiranës, rreth 1 milionë dollar, le të themi për këtë fazë të parë të emergjencave”, theksoi Veliaj.

“Do të kemi një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, pikërisht për të adresuar këtë çështje dhe hequr paratë nga diçka tjetër dhe për t’u siguruar që adresohet ky problem”, u shpreh Veliaj.

Krahas mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe mbledhjes së shtabit të Emergjencave, do të ketë edhe një takim të posaçëm edhe me të gjithë administratorëve për planin organizativ, ndërsa kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të kontaktojnë me administratorët e tyre për çdo nevojë, ndërsa shprehu gatishmërinë e Bashkisë për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë.

“Dua që secili nga qytetarët të ketë një kontakt me administratorin. Administratori do të bëjë një inventar, me atë inventar ne do kuptojmë kush ka nevojë për ndërhyrje fizike, kush ka nevojë për ushqime e veshmbathje, kush ka nevojë pastaj për ndoshta ndihmë psikologjike. Ne do të angazhojmë të gjithë stafin psiko-social të çerdheve kopshteve e shkollave të Tiranës”, theksoi ai.

Veliaj vlerësoi edhe kontributin e qindra qytetarëve që i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së kreut të Bashkisë për të kontribuar me veshje dhe ushqime për njerëzit e prekur nga tërmeti.

“Duke nisur nga dita e hënë jo vetëm shkollat do jenë në rregull, por do ketë edhe staf i cili nëpër klasa do u shpjegojë fëmijëve sepse është shumë e rëndësishme që faza e shokut të mos na paralizojë si shoqëri”, nënvizoi Veliaj./a.m/NOA.al

Shënim i NOA:

Nëse ndjeni nevojë për ndihmë, kontaktoni numrat e mëposhtëm, nga çdo telefon fiks ose celular, pa pagesë, edhe nëse nuk keni paketa aktive:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë. Dhe sipas nevojave specifike:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë.

Dhe sipas nevojave specifike:

Policia e shtetit ☎ 129.

Zjarrfikesja ☎ 128.

Urgjenca ☎ 127.