Transmetuar më 22-09-2019, 19:52

Ish-deputeti demokrat ka akuzuar Bashkinë e kryeqytetit se po grabit pronat e Universitetit të Tiranës.

Luciano Boci tha sot, se “tërmeti është thjesht sebepi për të vënë nën kontroll dhe presion Senatin dhe Universitetin”.

Në një postim në Facebook, Boçi shprehet se bashkia po uzurpon funksionin e Rektorit dhe një të tretës së anëtarëve të Sentatit nëpërmjet anëtarit të Këshillit Bashkiak.

Sipas Boçit, bashkia po përfiton nga tërmeti dhe po vendos nën kontroll Senatin dhe Universitetin.

“E padëgjuar, por e vërtetë!!!! Siç ndodhi me rastin e Kopështit Botanik, ku Bashkia kërkoi imponimin e qëndrimit ndaj VKM grabitëse 510, dhe me rastin e tërmetit po bëhet e njëjta gjë. Nëpërmjet anëtarit të këshillit bashkiak, në konflikt interesi si anëtar Senati, Bashkia Tiranë urdhëron mbledhjen e Senatit, duke uzurpuar funksionin e Rektorit dhe një të tretës së anëtarëve të Senatit. Madje përcakton dhe rendin e ditës e dikton dhe Administratorin!!!!?”

“Në dukje qëllimi shfaqet si i mirë si në çdo propagandë, por në realitet eleminon autonominë universitare në zemrën e vetë autonomisë, në Senat dhe shpërfill Rektoratin. Tërmeti është thjesht sebepi për të vënë nën kontroll dhe presion Senatin dhe Universitetin. Senati, në raste të zakonshme ose të jashtëzakonshme, sipas nenit 32, pika 5,6,  të Statutit dhe Ligjit të Arsimit të lartë, mblidhet nga Rektorin ose nga një e treta e anëtarëve.”

“ Rendi ditës në raste emergjente aprovohet me 2/3 e anëtarëve. Askush tjetër nuk ka të drejtë qoftë anëtar i Këshillit ky. Bashkia mos të bëjë kot rolin e bamirëses për disa tulla, ndërkohë që i grabit UT 15 ha të Kopshtit Botanik. Ajo sipas ligjit duhet të jetë financuese serioze e Universitetit të Tiranës dhe jo rrëmbyese e uzurpuese e pronave dhe e autonomisë universitare”, reagoi Boci, teksa Bashkia mblodhi Shtabin e  Emergjencave Civile ku në fokus ka qenë tërmeti me magnitutë 5.8 të shkallës Rihter që goditi kryeqytetin një ditë më parë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se në lidhje me këtë rast duhet të merren masa të menjëhershme.  Ai u kërkoi të gjithë këshilltarëve që të zbresin në terren dhe të ndihmojnë qytetarët. Kryebashkiaku urdhëroi gjithashtu ngritjen e grupeve të punës për vlerësimin e dëmeve./a.m/NOA.al