Transmetuar më 22-09-2019, 21:32

Lëkundjet e fuqishme të tërmetit këtë të shtunë në Shqipëri, shkaktuan jo pak panik dhe tmerr te banorët.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një dalje publike për mediat gjatë mbrëmjes së sotme, tha se tërmeti 5.8 ballë ka qenë i papritur, por institucionet e shtetit kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari të prekur.

“Është një lajm vërtet pozitiv që sot, 24 orë pas ngjarjes sizmike kryesore, informacioni i plotë mbi situatën në terren, na konfirmon që, dëmet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të kishim pritur nga një tërmet i atyre përmasave. Më kryesorja, nuk ka pasur asnjë rast lëndimi serioz të qytetarëve. Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate”, shprehet ajo.

Xhaçka deklaroi se autoritetet janë akoma në këmbë dhe se banorët e prekur janë ndihmuar me psikologë dhe me çdo ndihmë tjetër që ata kanë pasur nevojë.

“Ka një mobilizim të të gjitha resurseve dhe energjive të shtetit shqiptar si kurrë më parë. Pasi edhe pse situata duket e tejkaluar, edhe pse dëmtimet fatmirësisht rezultojnë modeste, kemi zgjedhur të kalojmë në një gjendje gatishmërie maksimale duke e kuptuar fare mirë që kjo është ajo që presin dhe që meritojnë qytetarët në këto orë të vështira për të gjithë. Kështu, janë shpërndarë në terren dhjetëra ekipe të shtabeve të emergjencave pranë prefekturave e bashkive, 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, disa qindra efektivë të Policive Bashkiake të Durrësit e Tiranës, 500 efektivë të Forcave të Armatosura të atashuar pranë ekipeve të terrenit apo në gjendje gatishmërie sipas nevojës. Numrat e emergjencës kanë funksionuar në mënyrë shumë të kënaqshme pavarësisht fluksit të madh të telefonatave. Vetëm në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950 raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i mëtejshëm. Përgjatë 24 orëve të fundit kanë zbritur në terren ose kanë qëndruar në gjendje gatishmërie maksimale disa dhjetëra ekipe mjekësore me staf të përforcuar që po kontrollojnë situatën, po kontaktojnë me qytetarët dhe kanë asistuar të gjithë qytetarët e lënduar apo që kanë kontaktuar për të kërkuar ndihmë mjekësore”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se po kryhet procesi i verifikimit për çdo ndërtesë dhe se në bazë të verifikimeve, autoritetet do marrin masat që duhen./a.k/noa.al/