Transmetuar më 24-09-2019, 12:09

SHKUNDJA TEKNOLOGJIKE DHE KOMUNITETET SI SHPËTIM

Para pak ditësh kompania Google njoftoi se kishte prodhuar kompjuterin kuantik me shpejtësi 1 miliard herë më të madhe se komjuterat e sotëm. Kompjuteri kishte kryer për 3 minuta e 20 sekonda një llogaritje për të cilën kompjuterave të zakonshëm do t’iu duheshin 10 mijë vjet. Kjo ngjarje mbase kaloi pa u vënë re sepse jo të gjithë e kuptojnë rolin që kompjuteri kuantik do të luajë në përhapjen eksponenciale të inteligjencës artificiale (AI) dhe makinës që nxë (machine learning) në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike madje edhe politike. Po ndodh një shkundje e vërtetë teknologjike, një tërmet i vërtetë që çdokush e kupton sapo të krahasojë numrin e fëmijëve që luajnë poshtë pallatit me vetëm 2-3 vite më parë. Çdo ditë, pak nga pak, shoqëria po ndryshon frikshëm sistemin e vlerave. Gjenerata e re e epokës dixhitale (gjenerata Z siç quhet ndryshe) ka një kuptim shumë të ndryshëm për miqësinë, për dashurinë, për kënaqësinë, për muzikën, për lagjen, për qytetin. Bota virtuale që fshihet prapa ekranit të smartphone-it është e pafund dhe mund të pushtohet me një click. Rrethi i miqve virtuale është mijëra herë më i madh se miqtë me të cilët takohesh fizikisht. Në fëmijërinë dhe rininë e brezit tim normat shoqërore, shijet dhe besimet merreshin nga një rreth mijëra herë më i vogël njerëzish, krahasuar me sot. Sot kontaktet sy në sy po zvogëlohen rrufeshëm. Madje edhe koha që shpenzohet me miqtë reale ndahet me botën virtuale që e ke gjithmone ne xhep. Vështirë të konsumosh dot një bisede pa i hedhur sytë nga rrjetet sociale apo lajmet që të vijnë në kohë reale si lajmërime në smartphone. Thomas Friedman në librin e tij “Faleminderit që u vonove” (Thank You For Being Late) ka të drejtë kur ben apel per reflektim, per një pauze që na jep mundësinë të mendohemi. “Aftësia jonë për të ndërtuar marrëdhënie të thella, si dashuria, përkujdesja, shpresa, besimi dhe ndërtimi i komuniteteve që bazohen ne vlera të perbashketa, është një nga aftësitë unike që njeriu ka. Është gjeja më e rëndësishme që na dallon nga makina”, shkruan Friedman tek citon shkrimtarin Leon Wieseltier. Nëse do ta lemë në rrjedhje të lirë, një ditë teknologjia do të ketë bjerrur shume vlera njerëzore. Nuk e kam fjalën per t’i rezistuar një vale të pandalshme, por për të lundruar mbi këtë valë me një anije më të sigurt. Pra le të zhvillojme tekonologjitë e informacionit, të shtojmë inxhineret dhe tekniket IT dhe të nxitim bizneset e reja ne fushën e teknologjise. Të rritim investimet për inovacion, kërkim shkencor e zhvillim, madje unë besoj se teknologjitë e reja të Informacionit dhe Komunikimit janë nga të vetmet mundësi ku mund të fokusohemi për të ecur më shpejt se të tjerët, të kapërcejmë limitet që na jep trashëgimia dhe hapësira e vogël fizike dhe njerëzore dhe të kapim kohën e humbur. Por krahas tyre duhet të investohemi edhe per të ruajtur njeriun social. Duhet të krijojmë ekosistemin që i ruan dhe i zhvillon vlerat njerezore, sensin e identitetit dhe karakterit, lidhjen e njeriut me natyrën e gjallë, me tokën, me ajrin e pastër dhe kreativitetin. Nje miku im pasi u kthye nga Korea e Jugut më tregonte për shkallën e lartë të dixhitalizimit të punës dhe aktiviteteve të përditshme, ndërkohë që koreanët hutoheshin edhe para situatave të thjeshta, pasi ishin mësuar ta gjenin çdo përgjigje në aplikacionet dixhitale. Komunitetet virtuale ku bëhemi pjesë me apo pa dëshirë, duhet t’i konkurrojmë me komunitete më interesante reale. Komunitete që mblidhen rreth interesave sportive, artistike, letrare, argëtuese. Komunitete të lagjeve, fshatrave, qyteteve. Prej disa javesh me një grup prej 40-50 vetësh të moshave, profesioneve e qyteteve të ndryshme po punojmë për ngritjen e një komuniteti të veçantë që ka për bazë marrëdhënien me tokën dhe prodhimin. Një sipërfaqe e vogël toke për kultivimin e frutave e perimeve dhe një komunitet ku kontributi kryesor i çdo anëtari është energjia dhe dëshira për të qënë bashkë. Jo të gjithë e njohin njëri-tjetrin por të gjithë kanë dëshirë të zbulojnë kënaqësinë e prodhimit dhe magjinë e jetës komunitare. Të gjithëve na duket si një arrati nga e përditshmja e mbingarkuar me shumë fjalë, shumë bërryla, pak buzëqeshje e shumë teknologji. Sidomos shumë teknologji. Nismat spontane por edhe projektet për ndërtim komunitetesh të institucioneve vendore sidomos, tani janë më të nevojshme se kurrë. Bashkia e Korçës çeli para pak kohësh të parin kopsht komunitar – parcela të vogla për kultivimin e perimeve kryesisht për banorët e apartamenteve. Përveç rindërtimit të kulturës së kopshtarisë, ky projekt ndërton një komunitet të ri social me qytetarë që takohen e flasin fizikisht, jo vetëm me tekste mesazhesh dixhitale. Stofi social sot është më i dëmtuar se rrugët dhe ndërtesat, ndaj ia vlen të zerë vend prioritar në programet e punëve komunitare. Deri në vitin 2007, vit që Thomas Friedman e quan “viti i kapërcimit të beftë të shumë teknologjive", avancimi teknologjik ka qënë i asimilueshëm nga njeriu. Pra njeriu ka mundur përgithësisht të përshtatë dijet dhe aftësitë e punës me teknologjitë e reja. Por në vitin 2007 ndodhën në të njëjtën kohë ngjarje me ndikim epokal. U shfaq iphone, facebook, twitter, android, tableti kindle, kompjuteri inteligjent Watson – një kombinim i inteligjences artificiale me "makinën që nxë” (machine learning), etj. Bota hyri në një revolucion teknologjik (revolucioni i katërt) ku teknologjia dhe njeriu vrapojnë me shpejtësi pakrahasimisht të ndryshme. Kompjuteri kuantik dhe mbledhja e të dhënave të hollësishme (big data) për njeriun e natyrën do të vendosë supremacinë e algoritmave mbi gjithçka. Disa mendimtarë ateistë e krahasojnë me lindjen e një “zoti” me emrin Algoritëm. Brenda një kohë, që të paktën brezi im ka për ta arritur, teknologjia do të mund të kuptojë edhe më mirë se ne shijet, mendimet dhe sjelljen tonë e më pas do t’i diktojë ato për mirë ose për keq. Gjithë historia njerëzore ka përshkuar një spirale ku njeriu shpik pastaj bëhet viktimë e shpikjeve dhe shpik përsëri për t’i shpëtuar pasojave të shpikjeve. Le të ndërtojmë më shumë komunitete dhe jetë komunitare. Mikrobota ka madhështinë e vet shpëtimtare.