Transmetuar më 25-09-2019, 15:58

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është pritur nga Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.

Në takimin e shkurtër me presidentin Trump, presidenti Thaçi e ka falënderuar atë për mbështetjen që Presidenti i Amerikës, populli i Amerikës, i kanë dhënë gjithmonë popullit dhe shtetit të Kosovës.

Thaçi theksoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin e Kosovës ka qenë përcaktuese, fillimisht për mbijetesë dhe më vonë për jetësimin e aspiratës për liri dhe pavarësi.

Thaçi shtoi se vazhdimi i mbështetjes gjithëpërfshirëse amerikane është jetik për ruajtjen e paqes dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën.

Më herët edhe Kryeministri i Shqipërisë, shoqëruar nga bashkëshortja e tij,  është pritur nga Presidenti Trump. /a.m/NOA.al