Transmetuar më 27-09-2019, 18:58

Sa e sa emocione dhuroi për vite me radhë. Me disa shoqe të saj ta talentuara në fillim të viteve ’80, Ela Tase ngrinte në peshë pallatet e sportit. Bëri Shqipërinë krenare, duke e çuar Dinamon, skuadrën e volejbollit të femrave që sot për çudi nuk ekziston më, në katër më të mirat e Europës.

Model i triumfit dhe suksesit për të rinjtë e asaj kohe, ajo që udhëhoqi ekipin e Dinamos dhe Kombëtares drejt sukseseve të pabesueshme, mbetet ende sot e përkushtuar për punën dhe pasionin e saj, model qytetarie, Ela Tase, kujtohet sot si në legjenda.

Ajo ishte një kampione rrallë në historinë e sportit tonë. Modestia e shoqëron Ela Tasen në tërë këto vite. E ka të vështirë të japë intervista. – “Ç’të them, nuk dua të flas për veten, nuk dua të bëhem bozë. Jam ajo, që kam qenë”, – u shpreh ajo pas një kërkesë për të folur mbi vitet e arta të brezit të saj të paharrueshëm.

Ela Tase është nderuar për gjithçka dha me çmime të ndryshme, pas karriere dhe vazhdon të nderohet, si në rastin e fundit. Por nderimi më i madh është ai i tifozëve të shumtë, sportdashësve, të cilët nuk e harrojnë dhe e kujtojnë si ikonën e vërtetë të sportit shqiptar.

Gjatë Asamblesë së fundit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, legjenda e volejbollit shqiptar, Ela Tase, u nderua me Urdhërin Olimpik nga KOKSH.

Presidenti i FSHV-se, zv.Erlind Pëllumbi, njëkohësisht anëtar i komitetit ekzekutiv të  KOKSH, i dha këtë çmim të veçantë ikonës së rrjetës shqiptare./a.m/NOA.al