Transmetuar më 27-09-2019, 19:39

Zyrtari i lartë i  Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, deklaroi pak kohë më parë se “futbolli nuk është për hallexhinjtë”.

Pas kësaj deklarate ka reaguar grupimi i tifozëve të kombëtares "Tifozët Kuq e Zi".

Përmes një letre publike, tifozët e organizuar të ekipit kombëtar i kërkojnë institucionit që drejton futbollin në vend të distancohet nga kjo deklaratë dhe të rishikojë politikën e çmimeve, që të jetë sa më e arsyeshme për xhepat e qytetarëve dhe jo t’i shesin, sa për një finale të Champions League.

“Arben Dervishi deklaron se “futbolli nuk është për hallexhinjtë”. Ky copë mishi i veshur me petkun e njeriut, që kurrë në jetën e tij s’ka paguar biletë, por i ka marrë falas, fatkeqësisht është zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, institucion që propagandon e fton “hallexhinjtë” në stadium dhe që këtyre hallexhinjëve u’a shet biletat me çmimin e një finaleje të ligës së Kampionëve. Këta hallexhinjtë e japin edhe lekun e fundit që ta shohin Kombëtaren, lek të cilin e fitojnë me stërmundime dhe shumë djersë, e jo duke u servilosur e duke u lëpirë pas personave me pushtet apo grupeve të interesit”, thuhet në deklratën e tifozëve.

“Ftojmë Federatën që të distancohet nga këto deklarata të turpshme, fyese dhe përqeshëse, si dhe të rishikoj politikën e çmimeve sa më të arsyeshme për xhepin e qytetarit të rëndomte shqiptar ( e jo të Dervishëve)”, mbyllet deklarata e tifozave kuqezi.

Presidenti Armand Duka, para ndeshjes së fundit kualifikuese Euro 2020 me Islandën, kritikoi tifozat “Vip”, duke u bërë thirrje tifozëve të zakonshëm, të mos e braktisin ekipin. Ashtu ndodhi.

Por çuditërisht para ndeshjeve të ardhshme, sidomos asaj ndaj Francës në stadiumin që pritet të inaugurohet në Nëntor, vjen një deklaratë e tillë e një zyrtari të FSHF-së, çka solli reagimin e tifozëve./a.m/NOA.al