Albtelecom i kërkon abonentëve të paguajnë lekë shtesë për të parë TV kombëtar Klan
Transmetuar më 03-10-2019, 16:16

Shoqëria Albtelecom i kërkon abonentëve të saj që të paguajnë lekë shtesë për të parë televizionin kombëtar Tv Klan, raporton noa.al.

Kjo kompani ka shpërndarë njoftime ku thotë se duke nisur nga data 4 tetor 2019, duhet të paguajnë jo më pak se 80 lekë të rinj çdo muaj për të parë Tv kombëtar Klan si dhe Klan Plus.

Albtelecom e quan këtë si paketë Ekstra Klan dhe kërkon që abonentët të paraqiten në dyqanet e saj për të aktivizuar paketën që kushton 80 lekë mbi paketën që çdo abonent i Albtelecom Iptv Digitalb paguan çdo muaj.

Ky njoftim ka ngjallur reagime të shumta te qytetarët. Shumë prej tyre e konsiderojnë të papranueshëm dhe pa sens, që të paguash lekë shtesë për një televizion i cili është kombëtar dhe sipas tyre duhet të jetë pa pagesë.

“Të paguaj lekë shtesë përveç 20 e ca mijë lekë të vjetra që paguaj çdo muaj? Këta janë të çuditshëm. Si mund të ndodhë kjo. Gjithandej dëgjojmë dhe lexojmë që TV kombëtare janë dhe duhet të jenë pa pagesë dhe e kanë apo duhet ta kenë detyrim ligjor që të transmetojnë pa pagesë kurse ne na kërkojnë lekë ekstra. Po pse çfarë është Tv Klan, kanal pay per view që duhet të paguash që ta shikosh? Nuk mjafton që është i mbytur me reklama, por duhet t’u japim dhe ne ca lekë shtesë çdo muaj që t’i shikojmë? Kjo është pa pikë sensi. Shteti duhet të vërë dorë, duhet të ndalë të tilla gjëra”, – thotë një qytetar rreth 45 vjeç i cili i irrituar pranë dyqanit Albtelecom te Shkolla e Baletit në Tiranë, nuk do që ta pranojë këtë fakt.

Si ai janë dhe plot të tjerë që nuk duan të pajtohen me këtë fakt të kryer që ka shpallur Albtelecom.

Ata po ashtu kujtojnë dhe faktin se kanë paguar dhe kanë lidhur kontrata një dhe dyvjeçare me Albtelecom dhe e kanë pasur Tv Klan dhe në të tilla kushte kanë pranuar të bëjnë abonim. Dhe tani vihen në kushtin që për ta parë në vijim Tv Klan nga nesër 4 tetor duhet të paguajnë çdo mua lekë shtesë.

Për më tepër, shprehen ata, sidomos te faqja e Albtelecom në Facebook, kur kanë dashur të shkëputen nga Albtelecom u është bërë e qartë prej kohësh se ka penalitete që shkojnë te 100 mijë lekë të vjetra.

Të mos shikosh dot TV kombëtare pa pagesë, a vetëm në Shqipëri ndodh kjo?

Prej kohësh, abonentët e platformave që ofrojnë kanale televizive, e kanë të pamundur të shohin të trija televizionet kombëtare private.

Deri vonë, përmes Digitalb mund të shihnin 2 prej tyre, Top Channel dhe Klan. Tani e tutje, një pjesë e abonentëve, Tv Klan nuk munden ta shohin nëse nuk paguajnë enkas për të.

E gjitha kjo, sepse autoritetet shtetërore kanë lejuar dhe vazhdojnë ta lejojnë paradoksin e papërgjegjshëm të pamundësisë për të parë në të gjitha platformat, të gjitha televizionet kombëtare në vend, pra shtetërorin RTSH, Top Channel, Tv Klan dhe Vizion Plus.

Prej disa muajsh u ndalua transmetimi i televizioneve, në rrjetin dixhital DVB dhe nga 1 shtatori përfundimisht dhe në analog duke lënë mundësi të vetme në vend, rrjetin DVB T2. Platformat Digitalb dhe Tring nxorën në shitje dekoderë të tillë. Këta mundësojnë shikimin e kanaleve kombëtare dhe disa të tjera, por nëse nuk ke kartën e kompanisë, asnjë kanal nuk mund të shikohet.

AMA e “shiti” këtë ndryshim si mundësi që të gjithë të shohin kanalet kombëtare lirisht e pa pagesë.

Por sa e vërtetë është kjo? Shumë njerëz në Tiranë dhe rrethe nuk kapin dot sinjalin tokësor dhe për rrjedhojë dekoderët pa karta dhe ato të Digitalb dhe Tring nuk u vlejnë. Në këto kushte detyrohen të paguajnë çdo muaj në platformat kabllore si Abcom, etj., si dhe në ato IPTV si Albtelecom, Abissnet, Tring, Digicom, etj. Këtu abonentët përballen me atë që e konsiderojnë të papranueshme: Duhet të paguajnë që të shohin kanalet kombëtare ose/dhe mund të shohin vetëm një pjesë të tyre.

Redaksia e NOA i kërkoi shpjegime AMA-s dhe titullarit te saj, përmes një letre në postën elektronike, por nuk ka ende një përgjigje.

Tani, situata, – shprehen qytetaret, – është bërë edhe më e papranueshme: Albtelecom që ka bërë kontrata një dhe dyvjeçare me abonentët ku shikohej Klan përmes paketës Digitalb, tani nuk e ofron më. Me një njoftim me sms që u shpërndau në fillim të gushtit abonentëve, Albtelecom u mjaftua të shfajësohet por nuk dha asnjë zgjidhje siç lexoni mesazhin e plotë më poshtë dhe duke mos i njohur vetes asnjë penalitet.

E në të kundërt nëse një abonent prish kontratën para afatit, penalizohet duke paguar 10 mijë lekë si gjobë ndërprerjeje.

Mesazhi i Albtelecom: "Te nderuar kliente ALBTV te paketave Digitalb, detyrohemi t’ju lajmerojme se me date 1 Gusht 2019 u njoftuam nga Digitalb se kanalin Klan nuk do t’a kete me ne platformen e saj dhe rrjedhimisht nuk do t’a shperndaje ne platformen e Albtelecom. Si pasojë, Albtelecom e ka objektivisht te pamundur te ri-transmetoje kanalet Klan HD dhe Klan+ per klientet ALBTV te paketave Digitalb".

Siç qartësisht shihet në mesazh, Albtelecom nuk dha aty zgjidhje për mijëra familje që në këto kushte privoheshin të shikonin jo vetëm kanalin kombëtar Vizion Plus, por edhe Tv Klan.

Të shumtë janë abonentët që ankohen për këtë fakt.

Po AMA çfarë po bën për të ndryshuar kjo situatë që ka penalizuar abonentë?

Autoriteti i Mediave Audiovizive thotë se gjatë gushtit 2019 ka marrë një numër të konsiderueshëm ankesash nga qytetarët në lidhje me mungesën e sinjalit të Televizionit Kombëtar “Klan”dhe “Klan Plus” në platformën satelitore “Digitalb” dhe në dy nga platformat IPTV që ritransmetojnë paketën televizive “Digitalb”.

Në këto kushte, Këshilli i Ankesave pranë AMA-s ka mbledhur të gjithë ankesat e mbërritura pranë institucionit dhe njoftoi se ka nisur procedimin konform ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, së pari duke kërkuar informacion nga platforma “Digitalb” dhe Televizioni “Klan”.

Autoriteti i Mediave Audiovizive tha se në mbështetje të interesit më të lartë publik, në zbatim të ligjit nr. 9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” dhe referuar Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, nënshkruar në datën 13 qershor 2019, ka kërkuar ndërhyrjen e këtij institucioni, me qëllim garantimin e të drejtave të konsumatorëve dhe shmangien e praktikave të pandershme tregtare në fushën e shërbimeve mediatike audiovizive.

AMA u shpreh më 9 shtator 2019 siç shihni njoftimin këtu, se mbetet e angazhuar për adresimin e plotë të situatës së krijuar dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet që sigurojnë konkurrencën në treg për shmangien e situatave të ngjashme në të ardhmen. Megjithatë nuk dha asnjë zgjidhje konkrete dhe nuk njoftoi më asgjë pas kësaj deklarate.

Në këto rrethana që janë krijuar, shumë shqiptarë pyesin: Kur thuhet që kanalet kombëtare janë pa pagesë, atëherë përse lejohen kabllorët si Abcom, etj, si dhe të gjitha IPTV që operojnë në Shqipëri t’i japin këto kanale vetëm me pagesë?

Endira Bushati, ish drejtore e AMA, e pyetur nga NOA.al mbi këtë situatë, pohon se kur ishte në krye të AMA, ajo bëri përpjekje që situata të ndryshojë, por e shkarkuan nga detyra.

Në këto kushte, zgjidhja është vetëm një: Autoritetet shtetërore duhet të detyrojnë çdo lloj platforme që të transmetojë pa pagesë televizionet kombëtare, pavarësisht nëse kanë apo jo abonim për shërbime të tjera. /noa.al/

Lexoni edhe: Nga Endira Bushati: Askush nuk flet për thelbin. Gjysma i qan hallin Sandrit, gjysma Vjollcës!

Disa nga ankesat e qytetarëve në faqen e Albtelecom në Facebook

Loading...
Loading...