Transmetuar më 03-10-2019, 16:29

Përveç dëmeve në banesa tërmeti i fuqishëm i 21 shtatorit solli edhe njëherë në vëmendjen tonë problemet me ashensorët, në dy qytetet më të populluara të vendit, Tiranë e Durrës.

Me një vendim të fundit të Këshillit të Ministrave, të gjithë ashensorët ekzistues do t’i nënshtrohen ekzaminimit, proces që do të zgjasë për 15 muaj deri më më 31 Dhjetor 2020.

“Me tërmetin ashensori i këtij pallati pësoi dëmtime, por kompania mirëmbajtëse e rregulloi për 5 orë”, tha Vishensk Brati, administrator i një pallati në kryeqytet.

Në gjithë vendin me mijëra pallate, ndërtimet e reja të 20 viteve të fundit, janë të pajisur me ashensorë. Vetëm në Tiranë, janë rreth 1500 ndërtesa me ashensorë. Gati 950 administrohen nga administratorë, të cilët kontraktojnë firma private për mirëmbajtjen e tyre.

Edhe qytetarët e kanë përqafuar nismën pasi e kanë ndjerë shqetësimin me kohë, para se të binte tërmeti.

“Kontrolli i ashensorëve është një gjë shumë e mirë, pasi është për sigurinë tonë, ashtu siç kemi nevojë të shkojmë tek mjeku, edhe ashensori do mirëmbajtur. Fqinjët e mi ngecën në ashensor”, thotë një qytetar.

“U bllokua dhe u detyruan t’i shqyenin dyert, që të dilnin”, shtoi ai.

Procesi i ekzaminimit të ashensorëve do të nisë me Tiranën dh Durrësin dhe do të shtrihet në të gjithë vendin./NOA.al/