Transmetuar më 06-10-2019, 09:21

Një fëmijë i sapolindur u la që të vdiste pasi në dokumente e kishin regjistruar si “lindi i vdekur”. Lajmi i tmerrshëm vjen nga Kazakistani dhe ka çuar në denoncimin e dy mjekëve, të akuzuar për vrasje të mituri.

Fëmija i cili menjëherë pas lindjes u deklarua i vdekur, pak pasi erdhi në jetë, filloi të lëvizë njërën këmbë.

Siç raportojnë media vendase, kryemjeku Kuanysh Nysanbaev, i pakujdesshëm ndaj sinjaleve të jetës, urdhëroi që fëmija të futej në qelinë frigorifer të të vdekurve, pavarësisht lëvizjes së këmbës.

Nysanbaev dhe një mjek tjetër akuzohen për vrasje dhe rrezikojnë deri në 20 vite burg.

“Pas lindjes fëmija u regjistrua për neglizhencë si i vdekur, edhe pse në të vërtetë ishte ende gjallë. Pasi dha sinjale jete, mjekët në vend që të merrnin masa urgjente, vendosën që të vepronin sipas dokumenteve të publikuara, duke thënë se fëmija kishte lindur i vdekur”, deklaroi shefi i policisë Shyngys Kabdula.

Nysanbaev dhe mjeku tjetër, e bënë gjithçka për të mos ndryshuar dokumentet, duke e lënë foshnjën të vdesë në qelinë-frigorifer, shkruan noa.al.

“Kërkoj thellësisht ndjesë ndaj familjes dhe nënës së foshnjës”, deklaroi zëvendës ministri i Shëndetësisë, Lyazzat Aktayev. /a.y/noa.al