Transmetuar më 06-10-2019, 17:02

Një i ri është arrestuar në qytetin turistik austriak të Kitzbuehel, pas masakrës së kryer brenda një familjeje.

Ai u vetëdorëzua pasi vrau pesë anëtarë brenda një familjeje, duke u thënë oficerëve të policisë "Unë kam vrarë pesë persona".

Viktimat besohet se janë ish e dashura e tij (19 vjeçe), i dashuri i ri i saj (25-vjeç), vëllai i vajzës (25 vjeç), nëna e saj (51 vjeçe) dhe babai (59 vjeç).

Policia u tha mediave austriake se kishte patur një mosmarrëveshje midis djalit dhe të dashurës së tij të re, në një restorant mbrëmjen e kaluar, ndërsa marrëdhëniet mes tyre kishin përfunduar dy muaj më parë.

Burri iu afrua shtëpisë së familjes rreth orës 4 të mëngjesit të së dielës – atje ku ai kishte jetuar më parë me vajzën dhe familjen e saj – përpara se t’i thuhej nga babai i viktimës se marrëdhënia kishte mbaruar, prandaj ai duhet të ikte menjëherë.

I riu raportohet se ka ikur dhe ka marrë një armë të vëllait të tij, për t’u kthyer rreth orës 6 të mëngjesit, dhe hyri në shtëpi, duke thyer një dritare.

Ai u ngjit në një ballkon për të arritur tek ish e dashura e tij dhe i dashuri i saj të ri, të cilët ishin duke fjetur në një apartament të mbyllur brenda shtëpisë.

Pasi qëlloi ata për vdekje, dyshohet se vrau edhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Policia tha se krimi duket i motivuar nga xhelozia në "përfundimin e një lidhjeje dashurie", duke i thënë gjithashtu mediave lokale se arma ishte e licencuar dhe mbahen në një kasafortë të mbyllur.

Kryetari i bashkisë së Kitzbuehel, Klaus Winkler tha se ishte një ditë e errët për qytetin.

"Asnjëherë nuk ka pasur një ngjarje të tillë (në Kitzbuehel). Ishte një tragjedi dhe ne të gjithë jemi thellësisht të tronditur, " – tha ai, ndërsa qyteti i vogël alpin ishte në ditë festimesh.

"Ky ishte një veprim krejtësisht joracional … një tragjedi e tmerrshme familjare"./NOA.al