Rezultatet e 96% të votave të numëruara nga KQZ: Vetëvendosje 25.78%, LDK 25.06%, PDK 21.17%
Transmetuar më 06-10-2019, 22:08

NË PËRDITËSIM

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë numëruar deri tani 96 përqind e votave.

Në bazë të numërimit të deritanishëm të 651.749 fletëvotimeve, kryeson tashmë Lëvizja Vetëvendosje me 25.78 përqind të votave.

Sakq LDK duket të jetë e dyta me 25.06 përqind.

Ndërsa PDK është e treta me 21.17 përqind.

REZULTATET LIVE

Veseli: PDK-ja do të kalojë në opozitë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

Ai shpalli vendimin që PDK mos bëhet pjesë e negociatace për qeverisje të përbashkët me Albin Kurtin.

‘PDK-ja do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit. I jam mirënjohës mijëra njerëzve që i takuam këto ditë", tha ai konferencë për media.

Maratona e zgjedhjeve

Rreth 900 qendra votimi me rreth 2 mijë vendvotime ishin të hapura deri në orën 19 sipas kohës lokale dhe qytetarët kishin mundësinë të zgjidhnin në mesin e mbi 1 mijë kandidatëve të 25 subjekteve politike të të gjitha komuniteteve që ishin vënë në konkurrencë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Rreth 30 mijë vëzhgues ndoqën nga afër zgjedhjet në mesin e të cilëve qindra vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe të ambasadave perëndimore.

Mbi 6 mijë pjesëtarë të policisë dhe mbi 100 prokurorë e gjykatës janë kujdesur për sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të cilat kandidaturën e tyre e kishin hedhur 7 veta.

Autoritetet vendase e ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe pjesëmarrje në shkallë të gjerë.

Çfarë pritet pas zgjedhjeve?

Analistët pohojnë se rezultati i zgjedhjeve të sotme është vështirë i parashikueshëm sikundër edhe koalicionet e reja pas zgjedhjeve që janë të pashmangshme dhe deri tash asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Kjo ka bërë që ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Diplomatët kanë bërë thirrje që menjëherë pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që do të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në radhë të parë me ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Diplomatët amerikanë presin që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve për të rihapur bisedimet dhe derisa në muajin gusht sekretari Mike Pompeo, emëroi zotin Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Trump u kishte shkruar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi, duke theksuar se "do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike".

Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Loading...
Loading...