Transmetuar më 07-10-2019, 07:56

Ndërkohë që Vetevendosje ka deklaruar fitoren dhe festa ka nisur që mbrëmë, të dhënat nga KQZ-së, tregojnë se deri më tani janë numëruar 95,88% të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 gjithsej.

Rezultati i fundit tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,79%, 197,966 vota. Pas saj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%, apo 192,300 vota.

Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,15%, apo me 162,342 vota.Në vendin e katërt renditet Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Social Demokrate me 11,63%, apo me 89,287 vota.

Kujtojmë që mbrëmë Lëvizja Vetëvendosje ka festuar fitoren e saj në sheshon ‘Skënderbeu’ Prishtinë. Lideri i saj Albin Kurti ka thënë se tashmë do t`i nis bisedimet me Lidhjen Demokratike për formimin e Qeverisë.

“Do ta kemi qeverinë sa më parë. Sigurisht se ne gjithmonë i kemi konsideruar LDK-në si partnerë në opozitë. Kemi bërë hapa të bashkërenduar. Fatkeqësisht nuk arritëm ta shndërrojmë në projekt të përbashkët si deshëm.

Së bashku do t’i kemi 60 deputetë. Unë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës preferoj një qeveri stabile dhe patjetër e shoh si partnerë LDK-në. Nesër do ta ftoj LDK-në për të krijuar koalicionin”, tha Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti pasi shpalli fitoren dhe foli si kryeministër para mediave, iu bashkua festës së simpatizantëve të VV-së në sheshin kryesor të qyteti të Prishtinës. Ai përgëzoi  kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani për fushatën që ka bërë, dhe shtoi se ajo dha një model për shumë gra dhe vajza shqiptar./b.l/noa.al/