Transmetuar më 07-10-2019, 22:01

Dhjetë të vdekur dhe 27 të plagosur është bilanci i shpërthimit të një bombe, që ishte vënë në një autobus në qytetin Jalalabad, në Afganistanin Lindor.

Mes 10 të vdekurve njëri është fëmijë.

“Bomba ishte montuar në motor. Fatkeqësisht dhjetë civilë, njëri prej tyre një fëmijë, u vranë dhe 27 u plagosën”, tha Ataullah Kojiani, një zëdhënës i i policisë së Nangarhar, për agjencinë franceze të lajmeve afp.

Më pas kjo informatë u konfirmua nga Ministria e Brendshme, e cila tha edhe se: “Disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike.”

Ende nuk dihen autorët e sulmit, megjithëse xhihadistët e Shtetit Islamik kanë kryer një seri sulmësh me bomba në shërbimet qeveritare, shkolla dhe organizata humanitare vitet e fundit në Jalalabad.