Transmetuar më 08-10-2019, 11:22

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda kanë lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’ për Ardian Began i cili është një nga pritësit e 137 kg kokaine të ardhur nga Ekuadori dhe të sekuestruar në portin e Durrësit.

Pas kurthit të ngritur nga DEA amerikane në bashkëpunim me policinë shqiptare për të marrë drogën në kontenierët e ardhur nga Ekuadori ranë në pranga dy pritësit, punonjës i sigurisë në Portin e Durrësit, Ardian Bega 53 vjeç dhe Altin Mislihaka, 35 vjeç, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person i tretë, biznesmen nga Durrësi, Gentian Malindi, 43 vjeç, i cili i ka pritur dy të arrestuarit jashtë portit, me një automjet me targa të huaja.

Si u zëvendesua kokaina me oriz

Kanë qenë autoritetet e shtetit fqinj dhe DEA amerikane, të cilët kanë sinjalizuar policinë shqiptare, duke i kërkuar të verifikojnë kontenierët që ishin nisur për në Durrës. Pas kontrollit të imtësishëm në port u faktuan dyshimet e autoriteteve greke, pasi në dyshemetë kontenierëve kishte kokainë.

Për të rënë në gjurmët e trafikantëve, policia greke zëvendësoi kokainën me oriz në të cilën vendosën GPS për të qenë në ndjekje të lokacionit të personave që mund të merrnin lëndën narkotike. Të vetmit që u paraqitën në Portin e Durrësit ishin dy personat tashmë të arrestuar, të cilët janë punonjës të sigurisë në Portin e Durrësit.

Duke shfrytëzuar këtë fakt, ata kanë hyrë lehtësisht tek kontenierët duke përdorur kartën e punës. Sipas dëshmisë së marrë një prej të arrestuarve bëhet e ditur se kanë hyrë në port nga ana e Urës së Dajlanit dhe kanë mundur të marrin disa nga pakot me drogë, dhe më pas janë larguar me një automjet me targa franceze. Më pas ata kanë vijuar rrugën drejt Shkëmbit të Kavajës, kur gjatë ecjes kanë kuptuar se diçka nuk shkonte.

Ishte pikërisht Gentian Malindi që kuptoi se në pakot e kokainës kishte edhe oriz, i cili më pas ka pikasur një automjet që po i ndiqte. Trafikantët e dyshuar kanë hedhur drogën jashtë automjetit ndërsa i vetmi që ka mundur të arratiset është shtetasi Malindi.

Shtetasi i shpallur në kërkim Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për drogë, pasi në qershor të vitit 2013, është ndaluar në një furgon mallrash në të cilin u gjet nga policia 500 kilogramë kanabis. Lënda narkotike vinte nga Lazarati ndërsa arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit të "Sfida"./b.l/noa.al/